Me rolin që po marrin SHBA-të në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, rol i drejtpërdrejtë në proces krahas bashkimit Evropian, analistët politikë presin që këto bisedime të fillojnë menjëherë pas konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit, e të cilat bisedime pritet që të përfundojnë jo më larg se në pranverën e 2020-s, para se Serbia të shkon në zgjedhjet e paralajmëruara për pranverën e vitit vijues.

Këtë afat të shpejtë kohor të përmbylljes së këtij procesi, e sheh si mjaft të mundshëm edhe analisti politik, Florim Zeqa, pasi që sipas tij, përgatitjet për agjendën e bisedimeve që tani kanë filluar.

Dilemë e madhe sipas analistit Zeqa, mbetet vetëm përmbajtja e marrëveshjes që edhe mundë të jetë befasi për të dyja vendet, e në veçanti për Kosovën.

Image
Florim Zeqa

“Emërimi i zëvendës ndihmësit të Sekretarit të Shtetit, Matthev Palmer, si përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, lë me kuptuar se pas dështimit të BE-së në procesin maratonik dialogues të Brukselit, rolin prijës po e marrin SHBA-të në ndërmjetësimin e bisedimeve Kosovë-Serbi për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Mirëpo dilema mbetët e madhe, se cila do të jetë ajo marrëveshje që mund të normalizoj në plotni marrëdhëniet serbo-shqiptare pas luftës gjenocidiale dhe krimeve të panumërta të Serbisë ndaj shqiptarëve. Pajtimi i Kosovës me Serbinë do të kishte kuptim sikur kjo e fundit të bënte kërkim faljen e sinqertë dhe të paguaj dëmshpërblimet e luftës, të zbardhë fatin e të pagjeturve, kthimin e pasurive të grabitura: artefaktet, pensionet, librat kadastral,…etj. Pa ndodhur kjo, Kosova nuk guxon të shkojë tutje në procesin e dialogut”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Pavarësisht se do të ketë rol kyç të ndërmjetësimit nga SHBA-të, Zeqa konsideron se bisedimet me Serbinë do të jenë të vështira deri në arritjen e marrëveshjes, ngase ky shtet e ka bërë të qartë synimin që të mos nënshkruar asgjë nëse nuk bëhen kompromise, e kompromisi në këtë rast do të ishte Veriu i Kosovës.

“Bazuar në synimet grabitqare të Serbisë ndaj veriut të vendit tonë, çdo kompromis në këtë fazë të dialogut Kosovës mund t’i kushtojë me humbje të territorit në veri dhe humbjes së sovranitetit politik ndaj pakicave serbe në brendi të vendit”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu thotë se në asnjë rrethanë, nuk guxon të ndërlidhet procesi i liberalizimit të vizave me rezultatet e dialogut me Serbinë, për shkak të çmimit të lartë që mund të paguaj Kosova për liberalizim, sikur që nuk duhet të merret me shumë entuziazëm edhe angazhimi i Matthev Palmerit që megjithatë është dhëndër i Serbisë.

“Pak rëndësi ka për Kosovën, kur mund të nënshkruhet marrëveshja finale mes dy vendeve, sa është e rëndësishme përmbajtja e asaj marrëveshje. Sikurse që nuk mund ta bëjmë gjumin rehat edhe nëse ato bisedime i drejton SHBA-ja, për shkak të ndërlikueshmërisë së problemit. Palmerin për më tepër se sekretar shteti, duhet shikuar edhe si konflikt interesi në bisedime për shkak të lidhjeve miqësore dhe familjare që ka me Serbinë”, tha në fund analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme