Viti 2019 pritet të shënojë fundin e dialogut Kosovë-Serbi i cili zhvillohet nën monitorimin e Bashkimit Evropian, në Bruksel.

Procesi i dialogut është bllokuar për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj importit të produkteve serbe. Ndërsa, pala serbe ka deklaruar se nuk do të kthehen në dialog derisa të tërhiqet kjo taksë.

Së fundi Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë përmes të cilës krijoi ekip të ri negociator. Ky ekip pritet ta ketë rolin kryesor në bisedimet politike me Serbinë.

Bashkëkryesues në këtë ekip negociator është zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, lider i Nismës për Kosovën, dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti lider i Partisë Socialdemokrate. Këtë të fundit nuk u votuan nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Partitë më të mëdha opozitare e kanë kundërshtuar ekipin e ri që nga fillimi dhe nuk po pranojnë të jenë pjesë e tij. Në dy takimet e fundit opozita refuzoi të ulej në tavolinë se bashku me krerët e shtetit.

Dialogu është zhvilluar edhe në nivel presidentësh në mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan lajmi.net.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se udhëheqës i dialogut duhet të jetë Thaçi dhe askush tjetër, gjë të cilën e kundërshtoi Shpend Ahmeti duke thënë se ajo nuk është mbi ligjet e Kosovës dhe nuk mund të pyetet për çështjet e brendshme.

Deri më tani janë arritur rreth 30 marrëveshje shumë prej të cilave nuk janë zbatuar.

Mirëpo, arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse është shumë e rëndësishme për Kosovën pasi vendi ynë pret njohjen nga Serbia.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi muajt e fundit të vitit deklaroi se Kosova do të kërkojë ta merr nga Serbia Luginën e Preshevës pa humbur asnjë pjesë të territorit të Kosovës. Ndërsa, në Serbi raportohej se bëhej fjalë për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi.

Së fundi, Thaçi ka thënë se pas marrëveshjes Kosova fiton njohje globale.

“Me arritjen e marrëveshjes Kosova do të thotë e fiton njohjen nga Serbia, e fiton njohjen nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, unë shpresoj që do të arrihet dhe besoj në atë drejtim. E fiton njohjen globale sepse do të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe nuk kemi më nevojë të shkojmë sikur nëpër INTERPOL dhe e fiton të ardhmen e sigurt për në NATO dhe Bashkimin Evropian”, është shprehur Thaçi në konferencën e fundvitit me gazetarët.

Nga ana tjetër, edhe në Serbi zgjidhja e problemit me Kosovën mbetet parakusht kryesor në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për këtë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka iniciuar një dialog të brendshëm me qëllim të arritjes së një konsensusi të gjerë në Serbi.

Në propozimet e tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Vuçiq shpeshherë është treguar realist duke thënë se Serbia e ka humbur Kosovën. Për këtë ai është kundërshtuar vazhdimisht nga opozita serbe dhe qytetarë të saj. Mirëpo, edhe ai është i vendosur në arritjen e një marrëveshjeje siç e ka potencuar për të mirën e serbëve.

Dy homolgët, Thaçi e Vuçiq kanë pranuar letër nga presidenti amerikan, Donald Trump i cili shprehu përkrahje për arritjen e një marrëveshjeje duke thënë se i pret palët ta nënshkruajnë atë në Shtëpinë e Bardhë.

Procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë filloi pas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila mirëpriste mendimin këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe gatishmërinë e Bashkimit Evropian për ta lehtësuar atë.

Dialogu nisi më 8 mars të vitit 2011. Në fillim quhej dialog teknik dhe më pas dialog për normalizimin e marrëdhënieve i cili zyrtarisht filloi më 19 tetor të vitit 2012.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme