Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë një adresim në gjuhën shqipe në parlamentin serb ku ka kërkuar sqarime nga qeveria e Beogradit për vendimin e një gjykate ndaj ministrit Aleksandër Vulin për gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve për të cilën u shpall i pafajshëm.

Kamberi ka apeluar për reagim edhe nga faktori ndërkombëtarë, për përdorimin e gjuhës fyese dhe denigruese ndaj shqiptareve.

“Zonja Merkel, z.Macron, z.Borrel, z.Lajcak, znj Vonder Leyen, a është kjo Serbia e juaj pro-evropiane? Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviçit i cili vrau, dhunoi dhe dëboi shqiptarët duke i quajtur albanac. Por, ja që nën heshtjen e botës demokratike, Serbia e Aleksandër Vuciçit po kthehet në kohën e Aleksandar Rankoviçit, që njihet si periudha e fundit e përdorimit zyrtar dhe publik të termit “siptar”, tha ai më tej.

Kamberi tha se gjuhën e urrejtjes po e përdor kabineti i Vuçiç për të mbajtur pushtetin dhe jo për patriotizëm,  ndërsa u hoqi një paralele me serbet e Kosovës.

“Si do të reagonte shoqëria serbe sikur homologu kosovar i Aleksandër Vulin-it do të zgjohej një ditë nga gjumi dhe do të vendoste se prej sot serbët quhen me termin pezhorativ “shkije” dhe këtë ta legalizonte gjykata në Prishtinë? A këtë po e do Vulini dhe Vuciçi për serbët e Kosovës? Jo, këtë urrejtje të ndërsjellë nuk do të mund ta nxitni për ta mbajtur pushtetin e juaj duke e luajtur patriotin në Serbi. E ju vazhdoni të fyeni publikisht dhe ligjërisht minoritetet e shtetit tuaj. Kështu fyeni më shumë shtetin tuaj”, u shpreh Kamberi.

Deklarata e deputetit Kamberit vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd që refuzoi ta shpallë fajtor ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, për përdorim e  vazhdueshëm të terminologjisë fyese “siptari” në vend të terminologjisë zyrtare në Serbi “albanci”.

Padia ndaj Vulin është bërë nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme