Me përfundimin e xhiros së 38-të në kampionatin italian (më 26 maj 2019), kanë përfunduar të gjitha ligat kryesore të futbollit evropian për sezonin 2018/2019.

Liga Premier

Kampioni i Ligës Premier për sezonin 2018/2019 (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

Manchester City është shpallur kampion i Anglisë për të dytin vit rresht duke e mposhtur konkurrencën e Liverpoolit vetëm me një pikë diferencë. Kështu krahas ‘Citizens’ dhe ‘Reds’, pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve e kanë siguruar edhe Chelsea dhe Tottenham Hotspur.

Arsenali dhe Manchester Unitedi do të luajnë në fazën grupore të Ligës së Evropës, derisa Wolverhampton Wanderers do të luajë në kualifikime të kësaj gare. Topçinjtë e kanë një shans për t’u kualifikuar në garën më të madhe evropiane në rast se fitojnë ndaj Chelseat në finale të Ligës së Evropës (e mërkurë, 29 maj).

Cardiff City, Fulham dhe Huddersfield Town nuk i mbijetuan qëndrimit në elitën e futbollit anglez, ashtu që në sezonin e ri do të luajnë në ligën Championship.

Norwich City dhe Sheffield Unitedi janë promovuar në Ligën Premier për sezonin 2019/2020, derisa skuadra e tretë do të vendoset nga finalja e ‘play-offit’ ndërmjet Derby County dhe Aston Villa, që zhvillohet më 27 maj (e hënë) në Wembley Stadium.

Tabela e Ligës Premier (Foto: flashscore.com)

La Liga

Kampioni i La Ligas për sezonin 2018/2019 (Foto: David Ramos/Getty Images/Guliver)

Barcelona e fitoi titullin e La Ligas për të dytin sezon radhazi duke e lënë shumë prapa Atletico Madridin. Në bazë të renditjet në katër pozitat e para, Blaugranët, Los Rojiblancos, Real Madridi dhe Valencia do të jenë pjesë e Ligës së Kampionëve në edicionin e ri.

Getafe do të luajë në fazën grupore të Ligës së Evropës, derisa Sevilla dhe Espanyoli do të konkurrojnë në fazën kualifikuese të kësaj gare.

Girona, Huesca dhe Rayo Vallecano nuk i siguruan pikët e mjaftueshme për të qëndruar në elitë, ashtu që në edicionin e ri do të jenë pjesë e ligës së dytë, La Liga 2.

Tri skuadra promovohen nga Segunda Division (që nuk ka përfunduar akoma), dy përmes renditjes tabelore (Osasuna tashmë e ka siguruar inkuadrimin në La Liga) dhe ekipi i tretë do të ngritet përmes ‘play-offit’.

Tabela e La Ligas (Foto: flashscore.com)

Serie A

Kampioni i Serie A për sezonin 2018/2019 (Photo by Tullio M. Puglia/Getty Images)

Për të tetin vit radhazi, Juventusi është shpallur kampion i Italisë duke mos pasur një konkurrencë të mirëfilltë në kampionat. Zonja e Vjetër së bashku me Napolin, Atalantan dhe Interin, në edicionin e ri do të luajnë në Ligën e Kampionëve.

Milani, falë renditjes tabelore, do të jetë pjesë e fazës grupore të Ligës së Evropës, derisa Roma do të luajë në kualifikime të kësaj gare. Në fazën grupore të kësaj lige është kualifikuar edhe Lazio si fitues i Kupës së Italisë.

Empoli, Frosinone dhe Chievo kanë rënë nga liga elitare e Italisë dhe në sezonin 2019/2020 do të luajnë në Serie B. Brescia dhe Lecce janë kthyer në Serie A, ndërsa skuadra e tretë do të vendoset përmes finales së ‘play-offit’ ndërmjet Cittadellas dhe Veronas.

Tabela e Serie A (Foto: flashscore.com)

Bundesliga

View image on Twitter

FC Bayern München
Borussia Dortmundi nuk arriti ta pengonte Bayern Munichun që ta fitonte titullin e shtatë rresht në kampionatin gjerman. Bavarezët, së bashku me BVB, RB Leipzig dhe Bayer Leverkusen do të luajnë në Ligën e Kampionëve në sezonin 2019/2020.

Borussia Monchengladbachu dhe Wolfsburgu janë kualifikuar në fazën grupore të Ligës së Evropës, derisa Eintracht Frankfurti do të luajë në kualifikime të kësaj gare.

Hannoveri dhe Nurnbergu nuk kishin fuqi që të siguronin mbijetesën, ashtu që në edicionin e ardhshëm do të luajnë në Bundesliga 2. Vendin e tyre e kanë zënë Kolni dhe Paderborni që janë promovuar në elitë.

Stuttgarti e ka edhe një mundësi finale që të mbetet në Bundesliga përmes ‘play-offit’ ndaj Union Berlinit. Ndeshja e parë ka përfunduar me rezultat 2-2, kurse sfidën e kthimit e zhvillon si mysafir më 27 maj (e hënë).

Tabela e Bundesligas (Foto: flashscore.com)

Ligue 1

Paris Saint-Germaini ishte pakonkurrencë në rrugëtimin për ta fituar titullin e tetë në hisotri të klubit dhe të dytin radhazi. PSG dhe Lille do të jenë pjesë e fazës grupore të Ligës së Kampionëve në sezonin e ardhshëm, ndërsa Lyoni do të luajë në kualifikime.

Nga vendi i katërt në tabelë, Saint-Etienne e ka siguruar pjesëmarrjen në fazën grupore të Ligës së Evropës, ku do të luajë edhe Rennes si fitues i Kupës së Francës, ndërsa Strasbourgu (si fitues i Kupës së Ligës) do të luajë në fazën kualifikuese.

Caen dhe Guingamp nuk mbijetuan dhe në edicionin 2019/2020 do të luajnë në Ligue 2, ndërsa vendin e tyre e kanë zënë Metz dhe Brest që janë promovuar në elitë. Dijoni e ka edhe një mundësi qëndrimi përmes ‘play-offit’ (ndaj Lensit).

Tabela e Ligue 1 (Foto: flashscore.com)

 

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Sport