Faqja Kryesore Botë Johnson nuk e përjashton mundësinë e suspendimit të ri të kuvendit

Johnson nuk e përjashton mundësinë e suspendimit të ri të kuvendit

3 Min e Lexuar
0
0
26

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e ndërprerjes së punës së kuvendit për herë të dytë me radhë, nëse Gjykata Supreme vlerëson se ai e ka keqpërdorur pushtetin në rastin e parë.

Shefi i qeverisë britanike, i cili ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në një samit të Kombeve të Bashkuara, gjithashtu la të kuptohet se nuk do të ndihej i obliguar që të japë dorëheqje në rast se drejtësia vlerëson se ai e ka mashtruar mbretëreshën lidhur me arsyet për suspendimin e punës së kuvendit.

I pyetur nëse vendimi i gjykatës kundër tij do ta bënte pozitën që mban të papërshtatshëm për të, kryeministri britanik tha: “Jo. Mendoj se arsyet për kërkimin e një fjalimi të mbretëreshës janë tepër të mira”.

Duke folur para gazetarëve në Shtetet e Bashkuara, ai gjithashtu e përjashtoi kategorikisht mundësinë për arritjen e ndonjë marrëveshjeje me partinë “Brexit” në rast të zgjedhjeve të reja, duke thënë se konservatorët do të garonin për secilën ulëse.

Vendimi i Gjykatës Supreme, i cili do të kishte ndikim të madh jo vetëm për të ardhmen e kryeministrit, por edhe për të drejtën më të gjerë të gjykatave për të dhënë qëndrim lidhur me një vendim politik të qeverisë, pritet të merret të martën në orën 10 e 30 minuta sipas kohës lokale.

Johnson  vazhdimisht ka premtuar se do ta largojë Britaninë nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, me apo pa marrëveshje. Sidoqoftë, qëndrimi i tij është kundërshtuar ashpër nga shumë deputetë, përfshirë edhe një pjesë të anëtarëve të partisë së tij, shkruan “The Guardian”

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Botë