Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka quajtur “frikacak” e “oportunist” presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiqin. Sipas tij, Vuçiqi mbetet një kopje e dështuar dhe qesharake e idhujve të tij.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se është kënaqësi që është i vetëm kundër të gjithëve në Kuvendin e Serbisë, i cili sipas tij, është ahistorik dhe totalitar.

Kundërshtimet e deputetëve mazhoritarë dhe qeveritarëve pas fjalimeve të mia janë të pritshme, në një Serbi me një pushtet të tillë njëpartiak dhe autoritar. Mohimi i krimeve të luftës krahas glorifikimit të kriminelëve të dënuar është bërë pjesë e pandashme e politikës zyrtare në Serbi. Prandaj, edhe kundërshtimet e tyre janë të ashpra, secilën herë që përmendi krimet e shtetit të Serbisë. Marr kërcënime kryesisht nga profile të rrejshme në rrjete sociale dhe denigrime nga tabloidet dhe mediat e kontrolluara nga regjimi. Tipike për regjime autoritare. Mungesa e kërcënimeve direkte prej zyrtarëve të Serbisë ndaj meje nuk është potencial i tyre demokratik ose mirësjellje ndaj meje, por është pjesë e strategjisë politike se janë të vetëdijshëm se pushteti i tyre është autoritar dhe kanë nevojë për ta krijuar imazhin e rrejshëm demokratik. Pra, nuk e kanë problem se jam shqiptar. Madje iu pëlqen se ka ndonjë deputet shqiptar, përderisa është në funksion të krijimit të një demokracie të rrejshme. Por, ata duan deputet shqiptar ose të margjinalizuar, ose të heshtur, ose të nënshtruar ndaj tyre. E unë nuk jam i tillë. Prandaj, po pengoj. Por, sidoqoftë, regjimi serb po demanton vetveten. U pa edhe në seancën kur bëri ekspozeun e tij Presidenti i Serbisë. Ato pamje ku një parlament i tërë e ku madje ishin sjellë edhe politikanët serbë të Kosovës për t’i duartrokitur liderit të tyre suprem, ishte një kopje qesharake e Koresë së Veriut. Madje edhe Sllobodan Millosheviqi kujdesej të kishte pak zëra kundërshtues dhe opozitarë që mos të duket si ai parlamenti atë ditë. Ishte një nga ditët më të bukura të jetës sime politike dhe publike. Kënaqësi e madhe për mua të isha pothuajse i vetëm kundër të gjithëve në atë sallë. Jo për shkak timin, por për shkak se ky parlament është ahistorik dhe totalitar. Ai do të mbahet në mend në historinë e Serbisë si një Kuvend i turpit të Serbisë. Vuçiqi po dëshiron të paraqitet brenda opinionit serb si lider i popullarizuar dhe i fuqishëm, por realisht po shpërfaqet çdo ditë e më shumë si një lider frikacak e oportunist që nuk ka guxim të veprojë dhe të marrë vendime për të ardhmen e Serbisë, porse mendon vetëm për veten e tij, edhe në dëm të Serbisë. Sado që dëshiron të duket si inkarnim modern i idhujve të tij politik dhe historik të Serbisë, Vuçiqi mbetet një kopje e dështuar dhe qesharake e tyre

Teksa ka pranuar se ka marrë kërcënime për deklaratat e tij, ku ka përmendur gjenocidin serb në Kosovë, Kamberi ka thënë se është motiv i jashtëzakonshëm përballja me figurat e larta shtetërore atje.

Ai ka folur edhe për vështirësitë e shqiptarëve në Serbi, duke akuzuar Vuçiqin se nuk i do shqiptarët si pjesë të shtetit.

Kamberi ka thën se mungesa e vullnetit politik në Qeverinë e Serbisë nuk është ndonjë risi. Siç e kemi theksuar shumë herë, me Serbinë zyrtare, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë tri marrëveshje të nënshkruara (2001, 2009, 2013), të cilat nuk po zbatohen nga Beogradi. Pra, vështirësitë janë të njëjtat nga një politikë diskriminuese, e cila nuk i do shqiptarët si pjesë të shtetit. Dallimi tani është se regjimi i Vuçiqit po përkëdhelet nga kryeqendrat botërore për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike

Kamber i ka vlerësuar si pozitive disa vendime të qeverisë Kurti për Kosovën Lindore.

Derisa ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, deputeti ka theksuar se Vuçiq nuk është i gatshëm ta njoh Kosovën.

Sipas tij, ai po e përdor dialogun me Kosovën dhe propagandon kinse vullnetin e tij për kompromis më shumë për konsum të brendshëm.

Realisht, nuk po shoh ndonjë gatishmëri të Presidentit Vuçiq që ta njoh Republikën e Kosovës. Ai po e përdor dialogun me Kosovën dhe propagandon kinse vullnetin e tij për kompromis më shumë për konsum të brendshëm dhe për ta ruajtur mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Problemi është te pala e Serbisë. Përderisa Serbia nuk tregon gatishmëri për ta njohur pavarësinë e Kosovës si parakusht për kompromis me Kosovën, nuk besoj se mund të kemi marrëveshje për paqe të qëndrueshme ka thën Kamberi.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme