Sot lideri i  Lëvizjes VETËVENDOSJE Albin Kurti ka pritur në takim, Deputetin shqiptar nga Lugina e Preshevës, ish-kryetarin e komunës së Bujanocit, z. Shaip Kamberin, të shoqëruar nga ish-kryetarja e Preshevës, tani kandidatja për këtë komunë, znj. Ardita Sinani.

Në këtë takim u diskutua për zhvillimet politike në Luginë e në Kosovë. Për projektin e fshirjes së shqiptarëve nga regjistrat civilë në Medvegjë, dhe për angazhimin që mund ta bëjmë për t’iu kundërvënë një spastrimi të tillë. Me bindjen se fshirja e shqiptarëve nga regjistrat civil është e papranueshme e duhet të ndalet, nënvizuam se Kosova e Shqipëria e kanë për obligim, e qeverisja jonë e re do të angazhohet, që ta ngris këtë çështje Bruksel e në Washington D.C., në OSBE, dhe në të gjitha organizatat tjera që merren me liritë dhe të drejtat e njeriut.

Me z. Kamberi dhe znj. Sinani folëm edhe për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, për padrejtësitë e pengesat që po na vihen në ditën e referendumit, dhe për përgatitjet që jemi duke i bërë për të qeverisur si shumicë pas 14 shkurtit. Ata na uruan sukses në këto zgjedhje, e ne ndamë bindjen që si qeveri e ardhshme do të angazhohemi për ta ndihmuar Luginën, edhe me projekte konkrete, por edhe duke e ngritur zërin kundër shkeljeve që po u bënë shteti serb shqiptarëve atje.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme