Kryeministri Edi Rama në ditën e dytë të samitit të Ballkanit të Hapur në Ohër ka vazhduar argumentimin e tij se pse është e dobishme kjo nismë, të cilën po e refuzon Kosova.

Ai tha se shqiptarët e Shqipërisë janë pro saj dhe se janë ata që përfitojnë nga marrëveshjet me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në këtë drejtim, ai tha se janë duke e bërë edhe një mekanizëm të përbashkët për të shuar zjarret nga ajri, prandaj ai e pat edhe një pyetje për ata që janë kundër Ballkanit të Hapur, derisa foli edhe për arritjen e mundshme të paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mos vallë duhet më mirë të digjen pyjet sesa të na ndihmojë shkjau? Unë nuk i besoj këto, unë besoj fort se sa më shumë në afrohemi aq më shumë shanse ka për t’i zgjidhur edhe konfliktet, aq më shumë shanse ka që të bëhet paqja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, një temë për të cilën s’e kam asnjë dakordësi me presidentin Vuçiq, por këtu, zgjidhja është shumë e thjeshtë: ose kjo mosdakordësi kthehet në një konflikt permanent, me të gjitha ato boshllëqe që pastaj mbeten në ekonominë tonë e sigurinë tonë, ose e kundërta duhet bërë – afrohemi sa më shumë që të kuptojmë sa më shumë njëri-tjetrin dhe që në fund vetë njerëzit të jenë të vetëdijshëm që e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara”.

Kryeministri shqiptar gjithashtu tha se pas luftës në Ukrainë Ballkani i Hapur është bërë edhe më i domosdoshëm dhe mori shembull se pa grurin e marrë nga Serbia, Shqipëria do të kishte vështirësi për ushqim.

“Çfarë do të ndodhte nëse s’do ta merrnim atë sasi gruri dhe me çfarë do t’i ushqenim ata që iu mungonte buka? Me retorikën e konfliktit apo me thirrje për të shkuar dhe për t’u futur në luftë? Ballkani i Hapur s’është as i imi as i Aleksandar Vuçiqit, as i Abazoviqit. Ballkani i Hapur është i njerëzve, i familjeve shqiptare, i fermerëve shqiptarë”.

“Ballkani i Hapur është i rëndësishëm për njerëzit tonë. Për hapësirën e përbashkët në të cilën lindin fëmijët tonë dhe nesër do të marrin në duar fatin e vendeve tona. Dhe këtë e dinë shumë mirë këtë shqiptarët e Shqipërisë, të cilët në këshillimin kombëtar qe ne bëmë ku morën pjesë gjysmë milioni qytetarë ishin mbi 60% në mbështetje të Ballkanit të Hapur, një shifër që e kalon mbështetjen që ka Qeveria dhe një shifër që jam i bindur se do të jetë më e lartë sikurse do të ishte në momentin e luftës në Ukrainë kur filluan edhe zëra të dëshiruar për të importuar konfliktin nga Ukraina në Ballkan, përmes një retorike e cila është absurde dhe – e cila më falni ta them – se e është e pështirë”.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme