Ndërsa bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, po marrin rrugëtimin drejtë finales së madhe në të cilën mendohet zgjidhje e ngërçeve për të gjithë rajonin e fatmirësisht për herë të parë edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ide që për ditë e më shumë po formësohet, tek ne në Preshevë, sikur me porosi ka zënë vend ai “i mallkuari i Rrahman Morinës” i cili me meritë e mori me vete këtë të fundit.

Amullia, mjegulla, konspiracioni, lufta mes llojit dhe miqësia me kundërshtarët, po zënë vend aq shumë te politikani i sotëm, sa po i humb kuptimi dhe po zbehet ideali i gjeneratave të tëra që dhanë më sublimen e tyre, që ky soj politikani i cilës do parti qoftë, sot mendon se gjithçka nis me te dhe se ai e meriton duartrokitjen, ai e meriton me çdo kusht shumicën, pozitën, karrigen, përfaqësimin, ai e meriton djersën dhe mundin e popullit. E për këto privilegje nuk duhet zgjedhur mjete e metoda, qoftë aleanca edhe me të mallkuarin e Zotit, vetëm e vetëm që ti gëzon privilegjet.

Deri kur kështu, pse kështu, si lejohet kjo, pse të përkrahen këto hiena që veten e quajnë politikanë. Vallë a është në situatë Lugina e Preshevës që disa individë të jetojnë si mbretër nga djersa e popullit dhe të mos iu bëhet vonë për atë se po afron ora e madhe e shansit historik, që ky vend i përvuajtur me shekuj më në fund të bashkohet me trungun e vet, duke pas përkrahjen e faktorëve më relevant në planet. A është ky soj politikani i vetëdijshëm për kohën që humbet, për energjinë që shpenzohet, për efektin negativ që reflektohet dhe për dëmet që si familje, si shoqëri, si popull po na rriten.

Pse nuk dëgjuam deri më tani nga goja e tyre një herë thirrje për unitet, për veprim konkret, për koordinim, për lëshim rruge nëse tjetri dinë më mirë e më shumë?!?!
Unë, por edhe shumë si unë e duam vendin tonë, më shumë se këta pak politikanë që po pretendojnë të flasin edhe në emër të neve që po heshtim. Ndaj për të thyer heshtjen dhe për tua ndal hovin këtyre maskarenjve të pacipë që bashkë me të mallkuarin e Perëndisë, kanë një mision të vetëm, unë kam një propozim.

Ftoj tridhjetë e gjashtë këshilltarët shqiptarë të Kuvendit Komunal të Preshevës, që të lënë partitë politike dhe që mandatet e tyre ti shpallin të pavarura, të formojnë një shumicë parlamentare me meritokraci ( nëse jo të gjithë shumica e të arsyeshmëve) dhe nga ata të dal kryetari i Komunës, kryetari i Kuvendit, nënkryetarët, sekretari dhe të gjithë funksionarët e drejtorët e institucioneve themelues të të cilëve është Kuvendi Komunal i Preshevës dhe njëkohësisht t’i shporrni nga skena këta “politikan” e funksionar, këta profiter e mashtrues, që shohin nga lartësia dhe assesi nuk e ulin shikimin tek populli i përvuajtur i nëpërkëmbur dhe i dergjur nga skamja e mjerimi, pushtimi e privimi nga të drejtat elementare. Këta politikanë që me ose pa vetëdije janë bërë krahu i djathtë i Serbisë kundër llojit të vet, në mënyrë që vet të jenë aty ku janë. Këtë mund ta bëni dhe kjo do të ishte shembull për tërë rajonin.
Mos e lejoni që ju të zgjedhurit e popullit të jeni numra dhe me kokat tuaja të bëjnë pazare, matrapazët e dallavergjinjtë e përmasave evropiane, njerëzit imoral, hipokrit, sadistë…

Është koha që ju këshilltarët e kuvendit komunal të dëshmoni se jeni më të mirë se ata që në emër tuaj po mbushin xhepa, rrëmbejnë, zhvatin, është koha që vëllezërve në mërgatë tu dëshmoni se ju jeni të arsyeshëm dhe që ata të ndihen rehat e të kënaqur që vendlindjen e tyre e kanë në duar të sigurta e jo në duar të atyre që tashmë i kanë dëshpëruar…

Ora e zgjidhjes së madhe do të vjen më shpejtë se që e mendojmë, por mos harroni se nesër do të jetë vonë dhe pasojat do të kenë adresë të veçantë.
Respekt për të ndershmit!

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme