Biznesmeni i njohur shqiptar, Harry Bajraktari, e ka goditur rëndë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke e quajtur tradhtar të kombit shqiptar. Sipas tij, Edi Rama duhet të ndihet i turpëruar për sjelljen e tij ndaj Kosovës dhe duket se nuk po mund ta kapërdijë refuzimin që Kosova ia bëri për t’iu bashkuar “Mini-Jugosllavisë”.

Bajraktari thotë se samiti i ri rajonal mes Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë në Durrës e shënoi edhe një pikë të ulët në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës dhe se përgjegjësia për këtë bie plotësisht mbi Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë.

Biznesmeni shqiptar gjithashtu thotë se Rama duhet të turpërohet për sjelljen e tij ndaj Kosovës.

“Duket se ai nuk mundet ta kapërdijë refuzimin e Kosovës për t’iu bashkuar mini-Jugosllavisë së re, të cilën e kanë dizajnuar së bashku ai dhe diktatori i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata e kanë tërhequr në këtë projekt edhe Zoran Zaev-in e Maqedonisë Veriore, por të gjithë të tjerët në rajon po shfaqin mungesë besimi ndaj tij”, thotë Bajraktari.

Ai e ka bërë një krahasim mes kryeministrit shqiptar dhe presidentit serb. Sipas tij, ata ngjajnë shumë me njëri-tjetrin. “Rama së voni po i ngjan shumë Vuçiqit. Njësoj si miku i tij në Beograd, ai e ka vendosur në qoshe opozitën dhe është përballur për më shumë se një vit me protesta në rrugë”, tha biznesmeni i njohur shqiptar.

Sipas Bajraktarit, Shqipëria është shndërruar në një vend me sistem njëpartiak, si në kohën e komunizmit. “Kuvendi është lodra e tij personale. Zgjedhjet e reja nevojiten për zgjidhjen e kësaj krize, por atij po i pëlqen shumë gjendja në të cilën Shqipëria praktikisht është kthyer në sistemin njëpartiak, njësoj si në kohët e errëta të komunizmit”, tha ai.

Bajraktari e arsyeton përgjigjen negative të Kosovës ndaj nismës rajonale për shkak të qëndrimit jokonstruktiv të Serbisë. Ai tha: “Nga Kosova po kërkohet që të bëhet pjesë e një unioni dhe që t’i hapë kufijtë me një shtet që nuk e njeh ekzistencën e saj, me një shtet që është duke punuar intensivisht për ta shkatërruar republikën e re dhe që ka kryer krime të mëdha lufte kundër civilëve të saj, për të cilat as nuk ka kërkuar falje, as nuk ka pranuar të paguaj dëmshpërblime.”

Sipas Bajraktarit, Kosova do të detyrohej ta largonte taksën ndaj mallrave serbe, nëse do të bëhej pjesë e mini-schengenit.

“Ky mini-schengen mes Ramës dhe Vuçiqit do të kërkonte nga Kosova që ta anulojë taksën ndaj Serbisë pa e detyruar Serbinë që të tërhiqen nga fushata dhe politika e saj armiqësore diplomatike kundër Kosovës. Mënyra e vetme që Kosova të ulet në këtë tavolinë është si anëtare e plotë, e njohur nga të gjitha shtetet, përfshirë Serbinë”, tha Bajraktari.

Sipas tij, gjëja më e dhimbshme në qëndrimin e Edi Ramës është injorimi i hapur dhe publik që ai ua bëri krimeve kundër njerëzimit, të cilat Serbia i ka kryer në Kosovë.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme