Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet që në seancën e sotme të votojnë për ose kundër ratifikimit të marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Koalicioni qeverisës ka thënë se i ka votat për ta kaluar këtë marrëveshje, duke llogaritur në ato të vetat, në premtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, votën e Donika Kadaj-Bujupit dhe atë të deputetit goran, Adem Hoxha.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje vazhdojnë të jenë kundër ratifikimit të kësaj marrëveshje, duke ftuar edhe të tjerët që të mos e bëjnë këtë gjë, ndërsa ata të pavarur, kanë thënë se i mbesin besnik qëndrimit të tyre fillestar – rrjedhimisht kundërshtimit të saj, po ashtu.

Dokumenti bazë, që sipas Vetëvendosje e bën Kosovën të humbasë tokë, është plotësuar me aneks-marrëveshjen te firmosur në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, sipas së cilës pas ratifikimit mund të bëhen rishikime dhe korrigjim të vijës kufitare.

Për ratifikimin e Demarkacionit duhen 80 vota nga 120 deputetë, sa i ka Kuvendi, ndërsa vota për të është njëri nga dy kushtet e mbetura të Kosovës të vendosura nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme