Faqja Kryesore Botë Kombi amerikan ia dha lamtumirën ish presidentit George H.W. Bush

Kombi amerikan ia dha lamtumirën ish presidentit George H.W. Bush

3 Min e Lexuar
0
0
21

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë lamtumirën të mërkurën ish-presidentit George H.W. Bush me një funeral shtetëror në Uashington, ku morën pjesë figura të larta të politikës amerikane, së bashku me udhëheqës aktualë e të mëparshëm nga e gjithë bota.

Ish-presidentët amerikanë Jimmy Carter, Bill Clinton dhe Barack Obama iu bashkuan Presidentit Donald Trump, gjatë shërbimit të përmortshëm për ish-presidentin George H.W. Bush në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, ku fjalimi kryesor u mbajt nga George W. Bush, djali i presidentit të ndjerë si dhe Presidenti i 43-të i SHBA-së. “Ai na mësoi se shërbimi publik ishte diçka fisnike dhe e domosdoshme”, tha ish-Presidenti Bush përpara të pranishmëve në katedralen shpirtërore episkopale. “Ai kishte një aftësi të madhe për të dhënë nga vetëvetja.”, tha ai.

Ndërsa mbaronte fjalimin George W. Bush nisi të qajë. Ai e përshkroi babanë e tij si “një njeri të madh e fisnik”.

Presidenti Trump nuk mbajti fjalim gjatë funeralit, por më herët në një postim në “Twitter”, shkruante: “ky nuk është një funeral, kjo është një ditë kremtimi për një njeri të madh që ka pasur një jetë të gjatë e të shquar. Do të na mungojë! ”

Kancelarja gjermane Angela Merkel, Princi Charles i Britanisë, Mbreti Abdullah i Jordanisë dhe Presidenti polak Andrzej Duda ishin mes atyre që ndoqën funeralin për nder të presidentit të 41-të të SHBA, i cili vdiq në moshën 94 vjeçare.

Gjatë shërbesës u mbajtën fjalime edhe nga ish-kryeministri kanadez Brian Mulroney, ish-senatori amerikan Alan Simpson dhe historiani Jon Meacham, biograf i Bushit.

Mulroney, udhëheqësi kanadez në kohën kur George H.W. Bush ishte në Shtëpinë e Bardhë prej vitit 1989 deri në 1993, tha se në historinë e Shteteve të Bashkuara ai nuk besonte kurrë se do të kishte një president “më të guximshëm, më parimor apo më të nderuar se George Herbert Walker Bush”

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Botë