Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur të mos e certifikojë Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në katër komunat veriore, Zubin Potok, Zveqan, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut.

Deri te moscertifikimi i LS-së ka çuar abstenimi i dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje të KQZ-së, Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala.

Kjo, pasi që ata kanë kërkuar që Lista Serbe të distancohet nga përmbajtja e letër-dorëheqjeve të ish-kryetarëve, të cilët i ishin referuar Kosovës me termin “Kosova e Metohija”.

“Kam pritur nga Lista Serbe që përgjatë këtyre 24 orëve të distancohet nga përmbajtja e tyre”, ka deklaruar Adnan Rrustemi, i cili edhe gjatë ditës së djeshme ka kërkuar një gjë të tillë nga LS.

Me këtë rast, ai ka propozuar që Listës Serbe t’i jepet edhe më tej afat për të reflektuar dhe për t’i përmbushur kushtet e kërkuara.

“Unë po ashtu propozoj që t’i japim afat edhe 24 orë Listës Serbe që të distancohet nga përmbajtja e atyre dorëheqjeve ose t’i zëvendësojë tre nga katër kandidatët”, ka theksuar Rrustemi.

Mirëpo, përkundër këtij propozimi, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e ka hedhur në votim rekomandimin e ZRPPC-së për certifikimin e LS-së, me ç’rast ky rekomandim nuk ka marrë votat e mjaftueshme.

Me këtë rast, ka reaguar anëtari i KQZ-së nga Lista Serbe, Stevan Veselinoviq, i cili ka thënë se vendimi i LVV-së për të abstenuar paraqet një sulm politik mbi serbët, të cilët kanë propozuar kandidatët në fjalë për të kandiduar në zgjedhjet në veri.

Ndërkaq, para se të hidhej në votim rekomandimi në fjalë, anëtari i LDK-së, Florian Dushi, ka thënë se anëtarët e KQZ-së do të duhej të vepronin në përputhje me rekomandimin e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC), e cila ka rekomanduar certifikimin e LS-së.

“Unë frikohem se po krijojmë precedent jo të mirë, precedent që do të mund të na krijonte telashe në zgjedhje”, ka theksuar Dushi.

Certifikimi i një subjekti politik duhet të bëhet me 2/3 e votave të anëtarëve të KQZ-së, respektivisht me 8 vota. Ndërkohë, pasi që presidenti Hashim Thaçi nuk i ka emëruar të gjithë anëtarët, KQZ aktualisht ka 9 anëtarë, rrjedhimisht pa dy votat e LVV-së, certifikimi është i pamundur të ndodhë.

Për dallim prej Listës Serbe, anëtarët e KQZ-së gjatë ditës së djeshme kanë votuar pro rekomnadimit të ZRPPC-së, për certifikim të PDK-së dhe LVV-së, për të marrë pjesë në zgjedhjet e 19 majit.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme