Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në konferencën e sotme ka folur për takimin që kishte zhvilluar të mërkuren me ambasadorin amerikan Greg Delawie.

Ai ka deklaruar se ambasadori amerikan nuk i ka kërkuar që subjekti i tij politik të jetë pjesë e dialogut të ri final që pritet të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi.

“Nuk ka kërkuar të jemi pjesë e dialogut. Takimi me ambasadorin amerikan ka qenë shumë i mirë, ai nuk imponon mendimet e veta, qëndrimet i thotë hapur dhe publikisht. Ai e theksoi që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, që ndihmohet e mbështetet nga SHBA-ja, e që do duhej që vendimet e qëndrimet të merren nga institucionet dhe qytetarët e vendit tonë”, tha Kurti gjatë konferencës për media.

Për më tepër Kurti tha se SHBA po e respekton Kosovën më shumë se sa Hashim Thaçi.

“SHBA-të po e respektojnë pavarësinë e shtetit tonë dhe institucionet demokratike shumë më tepër sesa presidenti që kemi”, tha Kurti.

Duke folur për presidentin e vendit Hashim Thaçi deklaroi se :

“Presidenti aktual nuk është më një njeri që bën gabime të paqëllimshme, por njeri që ka qëllime të gabuara. Thaçi nuk është as kredibil e as kompetent. Ai është edhe gënjeshtar, edhe dhe i paditur”, u shpreh Kurti.

Lideri i VV-së tha se ujditë e fshehta të Thaçit nuk do të vlejnë në Kosovë.

Kurti më tej tha se duhet një shqyrtim dhe vlerësim i dialogut dhe më pas të shihet si të vazhdohet.

Ai tha se qëllimet  e Beogradit në dialog janë të qarta, anëtarësimi në BE dhe formimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Ndërsa, sipas tij, liderët e Kosovës nuk i kanë të qarta qëllimet, parime e as kërkesat ndaj Serbisë.

“Presidenti aktual flet për kompromis të dhimbshëm dhe duket që e ka fjalën për dhimbjen që do ta ketë Kosova si shtet dhe populli, dhe jo ai”, tha Kurti.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme