Një ditë më parë në vend u shënua numër rekord i të infektuarve me coronavirus, ku për 24 orë rezultuan pozitivë 1,765 persona.

Pas kësaj shifre alarmante, ministri i Shëndetësisë është takuar me përfaqësues të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit ku edhe janë pajtuar që të marrin masa të reja anti-COVID.

Nga kjo Odë kanë njoftuar se nga data 20 gusht, do të mbyllen klubet e natës, deri më 1 shtator, ndërkaq restorantet e kafeteritë do të punojnë deri në ora 22:30.

Sipas njoftimit, po ashtu do të zvogëlohet edhe numri i dasmorëve nëpër dasma, nga 300 sa ishte, në 150 dasmorë.

“Masat janë nga data 20.08.2021: Sallat e dasmave deri në ora 22:30, kapaciteti i klientëve 150 të pranishëm. Klubet e natës dhe diskotekat mbyllen deri më 01.09.2021. Të gjitha restorantet ditore, kafiteritë etj punojnë deri 22:30”, thuhet në njoftimin e Odës, Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës.

Tutje, bëhet e ditur se “Nga data 20.08.2021 pa dëshmi vaksinimi apo test PCR nuk lejohen klientët në asnjë nga ambientet Hoteliere-Gastronomike”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media tha se do të rekrutojnë me procedura sa më të shpejta 1 mijë punonjës shëndetësor në SHSKUK, në IKSHPK, ne inspektorat e vende të tjera.

Ai tha se qendrat e vaksinimit do të punojnë edhe të shtunave dhe do të shtohen ekipet e vaksinimit.

Edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se janë pajtuar me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për shtrëngimin e masave anti-COVID.

Në komunikatë thuhet se do të ketë shtim të stafit shëndetësor por edhe me pjesën e inspektorateve në komuna dhe nivelin qendror.

Ndryshe, ministria Vitia në konferencën e së martës ka paralajmëruar për sot mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ku do të merret vendimi për këto masa, e që do të hyjnë në fuqi nga 20 gushti.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme