Me kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve  F.O., G.B. dhe I.V,  për vrasjen e 12 shtatorit në Gjilan, sot do të mbahet seanca në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Sipas gjyqtarit Sabedin Mushica, seanca do të mbahet në ora 13:15, raporton “Betimi për Drejtësi”

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit më 12 shtator 2021, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V, duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.

Sipas prokurorisë, ata kanë ardhur së bashku me një veturë të markës “Audi A3” dhe janë ndalë tek një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen tani të ndjerit B.V, i cili ishte ulur në një kafene në Gjilan dhe pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Për shkak të plagëve të marra, i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173, të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Gjithashtu, të njëjtit dyshohen edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet. Ata dyshohen për këtë vepër pasi që në mënyrë të paautorizuar kanë mbajtur në pronësi armë zjarri.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme