Xhihadistit kosovar, Fitim Lladrovcit, nuk i ka mjaftuar burgimi prej 3 vjet e gjysmë në Kosovë që të pendohet për organizim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste “ISIS” dhe “Al-Nusra”.

Pas vuajtjes së dënimit, ai është rikthyer në liri për të treguar se nuk i ka ndryshuar bindjet e tij për luftën në Siri, shkruan Insajderi.

Fitim Lladrovci i është gëzuar sulmeve të fundit terroriste në kishat e Sri Lankës që lanë të paktën 359 njerëz të vdekur, mes të cilëve 45 fëmijë.

Xhihadisti kosovar ka paralajmëruar sulme të tjera terroriste, tash në Paris, Londër, Washington e New York.

“Me ndihmën e Allahut, bijt e Ummetit sulmuan aty ku dhemb më shumë, në kishat dhe hotelet e Shri Lankës dhe nesër do të sulmojnë përsëri, por kësaj here në Paris, Londër, Uashington, dhe Nju Jork. Andaj pritni, se me të vërtetë edhe ne presim me ju.!!!”, është shprehur ai.

Fitim Lladrovci ka thënë se ISIS-i nuk mund të hiqet qafe.

“Kur armiqtë e Allahut bën masakra tragjike në Mosul, Rakkah, Sirte, Marawi, Baguz dhe në qytete tjera muslimane, ata pritën që Muxhahidët nuk do të mund të qëndrojnë gjatë dhe me marrjen e kampeve dhe qyteteve menduan se janë fitimtarë në luftën mes të drejtës dhe të kotës, ata menduan se do ta shuajnë Xhihadin, ata menduan se me vrasjen e burrave, fëmijëve dhe grave se do ta heqin qafe këtë Akide të Al Welas dhe Beraas. Pak ata dinë!!!”, ka thënë ai.

Lladrovci tha se çdo mysliman është projekt për xhihadin në të ardhmen.

“Akidja e Hilafetit është në zemrat dhe mendjet tona, në realitet jemi gjithkund, çdo Musliman është projekt për Xhihadin në të ardhmen. Allahu ka Premtuar se Xhihadi do të qëndrojë deri në Orën e Fundit (Kijametit), dhe ne besojmë në Allahun”, ka thënë Fitim Lladrovci.

Më 23 janar të vitit 2015, Fitim Lladrovci është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 5 vjet burgim për pjesëmarrje në grupe terroriste dhe dy vepra tjera për armëmbajtje pa leje.

Pas 6 muajsh, më 3 korrik të po atij viti, Gjykata e Apelit ia kishte ulur dënimin atij nga 5 në 3 vjet e gjysmë burgim.

Fitim Lladrovci akuzohej nga Prokuroria Speciale e Kosovës se disa herë udhëtoi drejt Sirisë gjatë viteve 2013-2014 për t’iu bashkuar organizatave terroriste “ISIS” dhe “Al-Nusra”.

“I pandehuri Fitim Lladrovci me pseudonimin “Fita”, më datën 8 dhjetor 2013 ka udhëtuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” për në Stamboll, prej nga me automjete të ndryshme ka shkuar në një qytet afër Aleppos, në Republikën Arabe të Sirisë, ku më dashje iu është bashkuar organizatave terroriste ‘ISIS’ dhe ‘Al – Nusra’”, thuhej në aktakuzë.

Herën e parë Lladrovci kishte shkuar në shtetin e përfshirë nga lufta civile, ku qëndroi deri më 28 dhjetor 2013, për t’u kthyer përsëri me aeroplan në aeroportin “Adem Jashari’ në Sllatinë.

Prokuroria përshkroi edhe kohën ku thuhej se Lladrovci udhëtoi përsëri drejt Sirisë.

“Më 15 maj 2014, me aeroplan përmes Podgoricës ka udhëtuar për në Stamboll, ku pas tre ditësh ka arritur që të shkojë në qytetin Stereshin të Republikës Arabe të Sirisë, ku me dashje i është bashkëngjitur organizatës terroriste “ISIS”, ku ka qëndruar deri më 9 tetor 2014,” precizonte aktakuza.

Aktakuza tregonte se më 15 tetor 2014, sërish përmes aeroportit “Adem Jashari” , Lladrovci ishte kthyer në Kosovë.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme