Faqja Kryesore Botë Borellit i kërkohet të mos bëjë si Mogherini, por t’i trajtojë si të barabarta Kosovën e Serbinë

Borellit i kërkohet të mos bëjë si Mogherini, por t’i trajtojë si të barabarta Kosovën e Serbinë

9 Min e Lexuar
0
0
83

Drejtuesja ekzekutive  e OJQ-së “New perspektiva” dhe ish pjesëtarja e Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, Joanna Hanson, i ka shkruar një letër të hapur pasuesit të Federica Mogherinit në postin e shefit të politikës së jashtme të BE-së dhe kryenegociatorit të dialogut Kosovë Serbi.

Hanson i ka kërkuar Josep Borellit që t’i trajtojë në mënyrë të barabartë Kosovën dhe Serbinë, pasi siç shkruan në letrën e saj “një gjë e tillë nuk po ndodhte së fundi”, derisa EEAS po drejtohej nga Federica Mogherini.

Ajo ndër të tjera i ka kërkuar Borellit që EEAS të ketë një rol më vendimtar, dhe të sigurojë që marrëveshjet e Brukselit të zbatohen pa vonesa.

Letra e plotë:

Po ju shkruaj si drejtuese e një OJQ-je në Kosovë, New Perspektiva. Që nga 2014, kemi punuar specifikisht në të kuptuarit e Dialogut të lehtësuar nga BE dhe procesit të normalizimit në nivel ndër-shtetëror dhe mes komuniteteve në Kosovë. Nëse më lejohet, dua të theksoj disa pika dhe rekomandime rreth procesit, për të cilat mendoj se janë qenësore për ta kuptuar dhe vazhduar procesin.

I nderuari Z. Borell,

Urime për nominimin Tuaj për pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë.

Po ju shkruaj si drejtuese e një OJQ-je në Kosovë, New Perspektiva. Që nga 2014, kemi punuar specifikisht në të kuptuarit e Dialogut të lehtësuar nga BE dhe procesit të normalizimit në nivel ndër-shtetëror dhe mes komuniteteve në Kosovë. I kemi vëzhguar zhvillimet si pozitive dhe ato negativet përgjatë viteve.

Do të doja t’ju kërkoja që edhe njëherë ta merrni stafetën e Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse më lejohet, dua të theksoj disa pika dhe rekomandime rreth procesit, për të cilat mendoj se janë qenësore për ta kuptuar dhe vazhduar procesin.

Marrëveshja për Normalizim e prillit 2013 ishte e arsyeshme, nëse jo e përsosur. Ajo ofroi një kornizë të parimeve të dakorduara për të ecur përpara në çështjet e vështira të pazgjidhura që po e pengonin funksionimin e duhur të institucioneve të Kosovës, integrimin ndër-komunitar dhe stabilitetin. Një pjesë e madhe e asaj marrëveshjeje është zbatuar. Implementimi i marrëveshjes për energji dhe formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përbëjnë dy përjashtimet kryesore.

Marrëveshja ishte rezultat i bisedimeve të nisura në nivelin politik nga Përfaqësuesja e Lartë, Baronesha Ashton, në vitin 2012. Objektivat e saj ishin përmirësimi i jetës së njerëzve në Kosovë dhe t’i vendoste këto dy shtete në një rrugë drejt Evropës. Mendoj se pika e parë shpesh harrohet dhe procesi në vazhdimësi është përdorur për ta përmirësuar jetën politike dhe perspektivën e negociuesve kryesorë. Fryma dhe vizioni i këtyre bisedimeve duhet të kthehet te përmirësimi i jetës së njerëzve dhe hapja e rrugës Euro-Atlantike. Hyrja në BE dhe zgjidhja e duhur e konflikteve bilaterale duhet të shihet si fazë përfundimtare e këtij procesi.

Paraardhësja e juaj, Federica Mogherini, gjithnjë argumentonte se Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Europian (EEAS) është vetëm lehtësues në bisedime. Shumë prej nesh e konsideruam këtë gjë si evazive dhe jo të mençur. EEAS duhet të jetë më energjik dhe efektiv dhe ta përdorë ndikimin që ende mund ta ketë që të sigurojë se marrëveshja do të zbatohet saktë dhe pa vonesa. Të dyja palët duhet të trajtohen barabartë nga EEAS, që duket se nuk ka qenë kështu së fundmi.

EEAS duhet t’ua rikujtojë palëve se sundimi i ligjit dhe njohja e të drejtave të njeriut në vendet e tyre janë qenësore për normalizim. Nuk mendojmë se ndonjë çështje e re apo propozime a kushte të tjera duhet të sillen në këtë proces.

Marrëveshja e Normalizimit thotë se asnjë palë nuk do ta bllokojë apo t’i inkurajojë të tjerët ta bllokojnë progresin e palës tjetër në rrugët respektive drejt BE-së. Kjo ishte një marrëveshje me shkrim, por mishëronte edhe frymën e marrëveshjes; një marrëveshje xhentelmenësh. EEAS duhet t’ua rikujtojë palëve se rruga drejt BE-së është e gjerë dhe ka shumë faza duke përfshirë anëtarësimin në organizatat e tjera ndërkombëtare dhe kërkon një shkrirje të sovranitetit për një të mirë më të madhe dhe stabilitet.

Do t’ju kërkoja, po ashtu, ta dëgjoni zërin e shoqërisë civile në Kosovë dhe Serbi, të shihni se cilat janë këshillat dhe pikëpamjet e tyre, si do t’i transmetonin ata qëndrimet më bashkëpunuese të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, qëndrime që, pa dyshim, janë të ndryshme nga ato të elitave të tyre politike, në veçanti zërat e komunitetit serb në Kosovë.

Ju uroj suksese në pozitën tuaj të re!

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Botë