Fillimviti i parë shkollor që nisë me libra shkollor në Luginën e Preshevës. Përfundimisht, Këshilli Kombëtar Shqiptar ka kryer të gjitha obligimet (me pagesën e taksës së përcaktuar) për të siguruar lejimin e teksteve mësimore për shkollat fillore në Luginë nga Shqipëria.

Mbi dy dekada, mungesa e librit i ka vështirësuar filloristët arritjen e standardeve më të larta edukativo-arsimore.

Si pjesë e betejës për arsim cilësor janë lejuar tekstet për shkollat fillore nga Republika e Shqipërisë, në bashkërendim me Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe të Serbisë dhe me bashkëpunimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Zgjidhja gjithëpërfshirëse në arsim e Luginës edhe më tej duhet të jetësohet në marrëveshjet bilaterale midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ndërtimit të marrëdhënieve për fqinjësi të mirë, në procesin e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Kjo edhe është referencë e përshtatshme për barazi. Pa barazi nuk ka paqe. Dhe pa paqe nuk ka arsim.

Falënderoj për angazhimin e jashtëzakonshëm të Ministres, Besa Shahini. Mirëkuptimin e Ministrit, Mladen Šarčević. Për ndihmën financiare të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në mbulimin e një pjese të taksës. Për mbështetjen e madhe të OSBE-së dhe grupin joformal të Ambasadorëve “Miqtë e Luginës”. Ish-kryetarin e Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, për mbështetjen e pakursyer. Për gatishmërinë e procedimit, Shtëpinë Botuese “Albas” nga Presheva. Komisionin e Arsimit dhe të gjithë që këtë ndërmarrje e kuptuan si parësore në angazhimet e përbashkëta.

Keqardhje për gjithë ata drejtues komunash me shumicë shqiptare që nuk e trajtuan arsimin si çështje themelore vlerash dhe cilësie, rrjedhimisht nuk e ndihmuan as edhe financiarisht për kryerjen e obligimeve të taksës, në një moment kur Këshilli Kombëtar Shqiptar është në vështirësi financiare.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme