Zhvillova një bisedë shumë të vlefshme me krerët e Listës Shqiptare në Mal të Zi, z. Nik Gjeloshaj, z. Genc Nimanbegu, z. Nazif Cungu, z. Nikollë Camaj, z. Fadil Kaloshaj e z. Amir Hollaj.

Bashkimi i forcave politike nga Ulqini deri në Malësi – Alternativa Shqiptare, Forca e Re Demokratike, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit e Perspektiva Qytetare – për të garuar me një listë të vetme zgjedhore është shprehje e vizionit të qartë e përkushtimit të thellë, për të lartësuar pozicionin e shqiptarëve në Mal të Zi.

Kjo listë gëzon mbështetjen publike të Presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Ministres së Jashtme të Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, mes tjerash. Me fjalë tjera, pas suksesit të përbashkët në Luginën e Preshevës ku mbështetja e Kosovës dhe e Shqipërisë i ka dhënë rezultatet e veta, jemi bërë bashkë për ta mbështetur Listën Shqiptare në Mal të Zi.

Edhe një koment të pashmangshëm: përçarësit e mëdhenj që sot akuzojnë për përçarje Kosovën dhe Shqipërinë, vetëm sa për të mbuluar hipokrizinë e tyre, kanë punuar me shumë zell për t’i ndarë shqiptarët në shumë parti dhe për të pamundësuar formimin e një liste të vetme, për shkak të borxheve nga e kaluara, interesa personale dhe ndikimeve të palëve të treta. Këtu, megjithatë, më mbetet për të treguar shumë më shumë në ndërkohë.

Sidoqoftë, tani ka rëndësi madhore vetëm e vetëm mbështetja e Listës Shqiptare.

Prandaj, ne ju bëjmë thirrje të gjithë vëllezërve e motrave tona në Mal të Zi të dalin masivisht në zgjedhje për të votuar Listën Shqiptare. Ajo është adresa e duhur me njerëz të dëshmuar moralisht dhe intelektualisht, për të rritur cilësinë e përfaqësimit të shqiptarëve dhe ruajtur drejtimin euroatlantik të Malit të Zi.

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme