Ambasadori i Rusisë në Beograd Alexandar Botsan Kharchenko ka thënë se Moska është për kompromis kur bëhet fjalë për zgjidhjen e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse thotë se Moska nuk angazhohet për ndarje të Kosovës, ambasadori rus Botsan Kharchenko është diplomati i parë rus i cili pretendon se nuk kupton përse kjo do të ishte precedent në Evropë.

“Ish Jugosllavia u shpërbë në të gjitha mënyrat e mundshme. Edhe pas gjithave, rezulton se precedent nuk ishte as copëtimi i RSFJ, as i RFJ, e as i vetë Serbisë, e pastaj ndarja e Kosovës do të ishte precedent. Këto deklarata tingëllojnë çuditshëm”, ka deklaruar Botsan Kharchenko.

“Mirëpo, kjo deklaratë e ambasadorit rus nuk duhet të çuditë”, pretendon diplomati serb Zoran Milivojeviq, “rusët me këtë tregojnë se edhe ata janë të përfshirë në negociata të Serbisë me Kosovën”.

“Me ç’rast, së paku si rezulton prej kësaj, Rusia do të jetë në anën e Serbisë, në kontestin se ajo çfarë Serbia konsideron si kompromis i cili është i pranueshëm për të, përfshinë edhe disa korrigjime në lidhje me kufirin, për shkëmbim territoresh, pra çfarëdo”, pretendon Milivojeviq.

Përkundër spekulimeve të sërishme për afat se deri kur palët duhet të merren vesh, Milivojeviq konsideron se zgjidhja e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të presë zgjedhjet në Kosovë, por edhe në Serbi.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme