Një operacion masiv ka nisur sot në orët e hershme të mëngjesit katër qytete të Kosovës, ku janë bastisur gjithsej 30 lokacione, në të cilat dyshohej se bëhej kontrabandë e mallrave. Prokuroria Themelore e Prizrenit, këtë rrjet të sofistikuar të kontrabandës në Kosovës e ka përcjellë tash e 1 vit, deri në kapjen e tyre. Deri tani janë arrestuar 6 persona që lidhen me këto veprimtari dhe janë gjetur pesë armë dhe 1 e 500 kilogramë duhan

Morena Kokollari

Rreth orës 05:00 të mëngjesit, Policia e Kosovës ka arritur të bëjë bastisje në 30 lokacione në tërë Kosovën, aty ku dyshohej për kontrabandë të mallrave.

Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe Njësia e Hetuesisë së Doganës së Kosovës, ka një vit që kanë hetuar grupin e sofistikuar të kontrabandës në Kosovë.

Prokurori që e nisi këtë hetim, Zejnullah Gashi, ka thënë për Gazetën Express se rreth 15 persona janë pjesë e këtij rrjeti të sofistikuar të kontrabandës, të cilët dyshohen për vepra penale “kontrabandimi i mallrave” dhe “shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”.

“Ne sot kemi pas një operacion, bastisje me urdhëresë të gjyqtarit të procedurës paraprake. Janë bastisë diku afër 30 lokacione në nivel të Kosovës dhe kemi arritë me kapë një sasi të konsiderueshme të duhanit të papërpunuar dhe pjesë të ndryshme të materialeve të cilat bëjnë përpunimin dhe paketimin e duhanit”, tha prokurori Gashi për Express.

Gjithashtu, prokurori konfirmoi se nga kjo bastisje në gjithsej 30 lokacione, janë gjetur edhe armë, tre cilat janë sekuestruar nga ana e policisë.

Ai tha se këta persona të dyshuar, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në vazhdimësi kanë kontrabanduar mall si cigare pa banderola, duhan të papërpunuar dhe të përpunuar si dhe pajisje të duhura për përpunimin dhe paketimin e duhanit.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, gjithashtu ka konfirmuar për Express se nga bastisjet janë gjetur gjithsej 5 armë dhe 1500 kilogramë duhan.

Por, e tërë kjo kontrabandë, prokurori Zejnullah Gashi tha se ka ndodhur kryesisht nga Shqipëria për në Kosovë.

“Zakonisht kontrabanda është bërë nga Shqipëria për në Kosovë”, tha prokurori.

Ai potencoi se nga ky rrjet gjashtë persona pritet të arrestohen dhe do të hetohet rasti deri në fund.

“Gjashtë persona do të arrestohen që lidhen me këtë operacion:, ka thënë prokurori Gashi.

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka 1 vit që po i përgjon në mënyrë aktive këtë rrjet të kontrabandës, dhe kështu ka zhvilluar veprime hetimore të komplet rrjetit.

E kjo bastisje është shtrirë në regjionin e Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjakovës dhe Ferizajt.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme