Pas protestave të djeshme Kryetari i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjjuriq ka deklaruar sot se hyrja e protestuesve në ndërtesën e Radiotelevizionit të Serbisë paraqet tentimin e pasuksesshëm të liderit të Lidhjes për Serbinë që ta merr pushtetin.

“Qytetarët tanë duhet ta dinë se mbrëmë me hyrjen në ndërtesën e RTS-së, banditi fashist Gjilas tentoi që ta merr pushtetin”, ka thënë Gjuriq për RTS sot në mëngjes. Protestuesit “Një në pesë milionë”, mbrëmë kanë hyrë në ndërtesën e televizionit publik në Beograd. Policia kishte shkuar në korridoret e Radiotelevizionit të Serbisë për të parandaluar që demonstruesit të ngjiteshin lart në ndërtesë. Të gjitha hyrjet në ndërtesën e RTS-së ishin bllokuar.

Protestat antiqeveritare “Një në pesë milionë” mbahen në Beograd çdo të shtunë qysh më 8 dhjetor të vitit të kaluar. Në ndërkohë, ato janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Serbisë. Folësit në to përsërisin çdo javë kërkesën kryesore për dorëheqjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Moto e protestës “Një në pesë milionë” është nxjerrë nga komentet e Vuçiqit për protestat, i cili ka thënë se ai “nuk do të përmbushë asnjë kërkesë, edhe sikur të mblidhen pesë milionë vetë në rrugë”.

Muajin e kaluar, Freedom House – organizatë ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut në botë – ka publikuar raportin vjetor, në të cilin e ka degraduar Serbinë nga kategoria e vendeve të lira në vend pjesërisht të lirë

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme