Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur për samitin e Parisit i cili pritet të mbahet më 1 korrik të këtij viti.

I pari i Qeverisë, ka thënë se është mirë që si Kosovë të shkojnë të përgatitur në këtë samit.

“Është e rëndësishme që të kemi një pozicion krijues si Kosovë. Kemi punuar si Kosovë për temat për këtë Samit. Jemi në përgatitje , jemi në punë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se duhet të ketë një kornizë-marrëveshje për atë se çfarë do të merren vesh në këtë Samit, duke mos përjashtuar mundësinë që ky Samit të dështoj.

“Sa i përket neve Samiti i Parisit mund të mbahet. Mendojmë që për me ec përpara, duhet të jetë një marrëveshje-kornizë e asaj që duhet mu marr vesh, pra është e nevojshme, jo vetëm për Paris, por edhe nëse nuk ndodh Parisi që mund të mos ndodhë por jo për fajin e Kosovës, por edhe në vjeshtë nëse kthehet dialogu duhet të ketë një kornizë-marrëveshje që të dihet për çfarë mund të dialogohet”, ka shtuar kryeministri Haradinaj.

Kryeministri më tej ka përmendur edhe marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufijve të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2013.

“Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për Menaxhimin e Integruar të Kufijve prej 2013, e nuk mundet Kosova me u rikthy mbrapa e me diskutu këtë marrëveshje sërish. Kornizë-marrëveshja është garancë se a do të ketë dialog ajo. Nuk e kuptoj që dikush duhet me mi përmend kufijtë me Serbinë kur kemi marrëveshjen e IBM”, shoti Haradinaj.

Ai theksoi se nuk ka logjik që si Kosovë të bëjmë ndonjë hap të gabuar.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme