Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë temë diskutimi për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi shprehet për emisionin “Balkan Talks” në Euronews Albania se vetëm SHBA-ja e detyron presidentin Vuçiç të njohë Kosovën.

“Bashkim Evropian nuk mund të çojë një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë për arsye se ka disa vite që po ndërmjetëson këto bisedime dhe nuk kemi ndonjë rezultat konkret. Kemi disa marrëveshje të nënshkruara të cilat deri tani nuk janë respektuar. Serbia akoma nuk është përballur me një presion të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për të bërë hapin përfundimtar në drejtim të Kosovës. Mendoj që SHBA mund ta detyrojë Serbinë që të shkojë në këtë drejtim,”- thotë deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi.

Deklaratat e presidentit Vuçiç se nuk do të njohë Kosovën, deputeti Shaip Kamberi i sheh si pjesë të fushatës së tij dhe se nëpërmjet këtyre deklaratave fshihen qëllime të tjera.

“Ai me këto deklarata po luan rolin e të fortit duke qenë në prag zgjedhjesh dhe po përgatitet për fushatë. Besoj se synimi i tyre nuk është më Kosova, por tregtia nëpërmjet Kosovës për territoret e Bosnjës,”- shprehet deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë.

Zyrtarët e Luginës së Preshevës nuk janë ftuar akoma nga kryeministri Kurti për të shprehur qëndrimin e tyre për dialogun deklaron z. Kamberi në Balkan Talks.

“Zyrtarët e Luginës së Preshevës zyrtarisht nuk janë ftuar nga qeveria e Kosovës, që të shprehim qëndrimin tone, por besoj që do jetë së shpejti. Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e bisedimeve sepse diskriminimi po zbras Luginën nga shqiptarët,”- thotë Z. Kamberi.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme