Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndjekur nga afër punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit ku Kosova ka dështuar të bëhet pjesë e kësaj organizate.

Thaçi nga Dubai ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk duhet ta bllokojnë njëra-tjetrën në rrugëtimin euroatlantik.

“Në të njëjtën kohë, përpos zhvillimeve të brendshme, dua të qartësoj edhe njëherë gjithë opinionin në Kosovë, se definitivisht Kosova dhe Serbia në vend që të pengojnë njëra-tjetrën, në vend që të bëhemi pengues për njëra-tjetrën në rrugëtimin tonë euroatlantik, duhet të arrijmë marrëveshjen përfundimtare, njëherë e përgjithmonë, atë të normalizimit, që nënkupton lëvizje të shpejtë evropiane për të dyja vendet, përndryshe do të paguajmë çmim të dyja vendet”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka theksuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në Interpol duke shtuar se nuk ka pasur nevojë për lobim.

“Nuk i besoj fort lobingjeve çfarë mendojnë njerëzit se duhet të ketë. I besoj vendosmërisë dhe mbështetjes së shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe atë që Kosova e ka merituar dhe i ka plotësuar të gjitha kriteret”, ka thënë Thaçi, duke shtruar se me anëtarësimin në Interpol, Kosova do t’i kontribuonte edhe më shumë paqes dhe stabilitetit.

“Kosova ka dëshiruar vetëm të jetë pjesë e kontributit të paqes, stabilitetit, luftës globale kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, luftës kibernetike dhe shumë e shumë dukurive të tjera negative por fatkeqësisht kjo gjë iu mohua padrejtësisht Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme