Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar rreth takimeve të tij që ka mbajtur me krerët e institucioneve shtetërore dhe partive politike, në ditën e dytë të vizitës së tij në Prishtinë.

Në një postim në Twitter, diplomati sllovak ka thënë se nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut dhe se vetëm një marrëveshje përfshirëse do të zgjidhë problemet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në takimet e mia me udhëheqësit e partive të koalicionit, kuptova qartë se nuk ka rrugë tjetër pos dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës si dhe se duhet arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes palëve që zgjidh të gjitha çështjet e pazgjidhura”, ka shkruar Lajçak

Edhe Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, është takuar me emisarin special të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel.

Ai në një postim në Twitter ka theksuar se marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim ekonomik duhet të plotësojë procesin e tanishëm të dialogut të udhëhequr nga BE-ja.

Ndryshe, emisari evropian për dialogun nesër para largimit nga Kosova, do të mbajë një konferencë për media.

   

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme