Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës dhe institucionet përkatëse të marrin hapa konkret për përmbysjen e situatës në të cilën ndodhen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kështu ka deklaruar deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, i cili ka thënë se është fatkeqësi që sot në vitin 2019, në këtë pjesë të Ballkanit, konkretisht në Serbi shqiptarët e Luginës jetojnë në një gjendje të paperspektivës totale, diskriminimit etnik, kulturor dhe social.

Ai në seancën e sotme që po mbahet pikërisht për këtë çështje, ka theksuar se LDK-ja do të mbështet çfarëdo rezolute që do të nxjerrë Kuvendi i Kosovës në raport me Luginën e Preshevës.

“Sot Qeveria e Kosovës dhe institucionet përkatëse, duhet të mobilizohen për një plan afatshkurtër dhe afatgjate. Dhe këtë nisme, ne duhet ta fillojmë sot këtu, në Kuvend, duke kërkuar nga ekzekutivi t’i përmbushë obligimet, sikurse dhe t’i tejkalojë ato, duke marrë nisma të reja sistematike, duke mbështetur një plan konkret që tejkalon mandatet qeveritare dhe politikat ditore. Ne, sot duhet të krijojmë mekanizma e projekte konkrete, sikurse plane afatgjate me njerëz përgjegjës për realizimin e tyre në funksion të përmirësimit të jetës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës, si dhe në ruajtje të identitetit të tyre kombëtar”, ka thënë Abrashi.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme