Ministri në detyrë i Drejtësisë,  Abelard Tahiri ka pritur në takim kryetarin Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa.

Pas takimit, Tahiri ka deklaruar se Kosova dhe institucionet e saj duhet ta kenë një agjendë të mirëfilltë dhe sistematike që adreson çështjet e popullit shqiptar në Luginën e Preshevës, në mënyrë që komuniteti shqiptar që jeton në atë pjesë, të rigjenerohet edhe në planin socio-ekonomik edhe në atë socio-politik e kulturor.

“Për shkak të përbërjes etnike, Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet një ndër rajonet më të diskriminuara në Evropën Juglindore, si pasojë e politikës dezintegruese të Serbisë dhe kjo nuk mund të tolerohet brenda një vendi që aspiron Bashkimin Evropian”.

“Në takim të përzemërt me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafa, ndamë bashkërisht perspektivën për hapat e mëtejmë që duhet t’iu paraprijmë, për të arritur kështu rezultate konkrete dhe një lidhje shumë më të fuqishme në mes institucioneve tona dhe qytetarëve që jetojnë në atë pjesë”.

Sipas tij, Lugina e Preshevës nuk mund të mbetet luginë e dëshpërimit dhe as e shpopullimit.

“Ajo ka nevojë për mbështetjen tonë dhe sensibilizimin tonë në rrafshin ndërkombëtar për kufizimet e një pas njëshme që pushteti serb i vendosë ndaj kësaj zone”.

“Lugina ka nevojë për investime dhe për edukim. Ne e kemi obligim që ndaj kësaj pjese të banuar me shqiptarë, të stimulojmë zhvillimin ekonomik e social dhe kultivimin akoma më të fuqishëm të lidhjeve tona kulturore. Republika e Kosovës aspiron relacione të shëndosha me vendet fqinje, dhe trajtimi i popullsisë shqiptare brenda këtyre vendeve, është kapitulli më thelbësor që do përcaktojë këto relacione”, ka theksuar ai.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme