Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Ragmi Mustafa bashkë me Deputetin Popullor z. Shaip Kamberi përmes një shkrese iu kanë bërë thirrje BE-së, OSBE-së dhe SHBA-së të reagojnë ndaj Beogradit zyrtar e të parandalojnë gjuhën e urrejtjes kundër pakicave në Serbi, që tashmë ka marr korniza ligjore dhe institucionale si precedent i rrezikshëm për të gjitha pakicat në Ballkanin Perëndimor.

Në shkresën e përbashkët dërguar Presidentes së BE-së, znj. Ursula Von Der Leyen; Përfaqësuesit për Politikat e Jashtme të BE-së, z. Josep Borrell; Të dërguari special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, z. Mirosal Lajcak; Raportuesit të Parlamentit Evropian për Serbinë, z. Vladimir Bilcik; Komisarit të Lartë për Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Hagë, z. Kairat Abdrakhmanov; Shefit të misionit OSBE-së në Serbi, z. Jan Braathu dhe Ambasadorit të SHBA-së në Beograd, z. Anthony Godfrey; theksuam se vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë në Beograd, me të cilin Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, z. Aleksandar Vulin u lirua nga akuzat e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve, hap një kapitull të ri. Vendimi i gjykatës tashmë “legalizon”, diskriminimin, intolerancën, ksenofobinë dhe racizmin ndaj shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë e gjetkë.

Ne besojmë se duke hedhur poshtë padinë e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve kundër Ministrit A. Vulin si të pabazuar, gjykata është shpërfaq si shembull i ndikimit politik nga zyrtarët qeveritarë.

Ky vendim ngre shqetësime serioze në lidhje me aftësinë e gjyqësorit serb për të “zbatuar me përgjegjësi Ligjin mbi Ndalimin e Diskriminimit Racor dhe Fetar, që sanksionon ”nxitjen e pabarazisë, urrejtjes dhe intolerancës bazuar në përkatësi racore, kombëtare, fetare, seksuale ose tjetër “

Ky precedent nuk ndodhi as gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviçit, i cili vrau, dhunoi dhe dëboi shqiptarët.

Duke e bërë zyrtare gjuhën e urrejtjes kundër shqiptarëve, përfaqësuesit më të lartë të autoriteteve në Republikën e Serbisë nuk kontribuojnë në procesin e pajtimit dhe bashkëjetesës paqësore në Ballkanin Perëndimor, aq më pak mund të jetë i dobishëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një proces që vetë Bashkimi Evropian po përpiqet ta lehtësojë.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme