”Spanja nuk e njeh Kosovën, prandaj do të votojë kundër çdo vendimi procedural dhe dhënies së statusit kandidat të Kosovës”, ka thënë Pascual Navarro përfaqësues i Spanjës për Bashkimin Europian, gjatë paraqitjes së tij para Komisionit të Përbashkët për BE, të mbajtur në Senat.

Tutje ai ka shpjeguar se pasi Kosova të ketë dorëzuar zyrtarisht kërkesën e saj për anëtarësim në Presidencën aktuale, në këtë rast Republikën Çeke, duhet të merret një “vendim procedural”, të cilin supozohet se Suedia do ta miratojë që nga janari si Presidencë e re, përcjell klankosova.tv.

Gjëja normale, vazhdoi ai, është që të kërkohet mendimi i Komisionit Evropian dhe më pas të debatohet për këtë çështje në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme dhe në fund të vendosin liderët evropianë në Këshillin Evropian.

“Qeveria nuk do të mbështesë kandidaturën në rrethanat aktuale dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar”, theksoi Sekretari i Shtetit të Spanjës për Bashkim Europian.

Spanja është një nga pesë vendet e BE-së, së bashku me Greqinë, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë, që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Navarro ka theksuar se Qeveria e Spanjës “ka qëndrim konstruktiv” në lidhje me Ballkanin Perëndimor, mbështetë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe ndërmjetësimin e BE-së dhe së fundi mbështet liberalizimin e vizave me Kosovën që edhe pse e cilëson se “është jo një shtet, është një territor me të cilin BE ka marrëdhënie”, përcjell klankosova.tv

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme