“SHBA do të donin të mbesin në pozitën nga viti 2008, mirëpo janë të hapura edhe për zgjidhje tjera. Ata nuk duan konflikt të ngrirë”, ka deklaruar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pas takimit me emisarin e posaçëm e SHBA për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer dhe ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA Philip Reeker.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të hapura për ide kreative kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe dëshirojnë që kjo çështje të zgjidhet në afat sa më të shkurtër. Administrata e tyre do të dëshironte që gjithçka të mbetet në pozitat e vitit 2008, por në fund të fundit nuk do të ikin nga korrigjimi i kufijve, sepse kjo, sipas tyre, është opsioni më i mirë nga konflikti i tanishëm i ngrirë i cili nuk sjellë askund, shkruan sot gazeta serbe “Novosti”.

Siç pretendon gazeta, “pikërisht ky qëndrim ka mbretëruar” në takimin e presidentit serb me përfaqësuesit e administratës amerikane Palmer dhe Reeker në Nju Jork.

Këtë për gazetën ka konfirmuar edhe Vuçiq, i cili ka deklaruar se “SHBA janë të interesuara për zgjidhjet të kësaj çështjeje, sepse nuk dëshirojnë të mbetet konflikti i ngrirë në dhjetë apo më shumë vitet e ardhshme”.

“Është pozitive që me amerikanët mund të bisedohet në mënyrë racionale, pa marrë parasysh se disa ide tona nuk do të pranohen, por ata duan të dëgjojnë dhe mundohen të gjejnë zgjidhje, e jo a-priori ta akuzojnë Serbinë. Ky është një përparim i vogël të cilin kanë bërë SHBA, e që do të vjen deri te përparimi esencial, nuk besoj. Mirëpo, ajo që amerikanët nuk duan konflikt të ngrirë është gjithashtu edhe në interes të Serbisë, sepse shumë lehtë ky konflikt mund të shkrihet, gjegjësisht të mbetet vetëm – konflikt”, ka thënë Vuçiq për televizionin serb Pink.

Edhe pse Gjermania po e kundërshton korrigjimin e kufijve, përfaqësuesit e administratës amerikane janë pajtuar me kancelaren Angela Merkel, e cila gjatë  takimit me Vuçiqin në East River, gjithashtu është angazhuar për intensifikimin e dialogut në mes të Serbisë dhe Kosovës, pretendon gazeta.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme