Juventusi është shpallur edhe matematikisht kampion i Serie A për sezonin 2017/2018, një xhiro para përfundimit të kampionatit italian.

Zonja e Vjetër kishte nevojë për një pikë të vetme në duelin ndaj Romës për ta siguruar Scudetton e 34 zyrtare (kur kihet parasysh se dy tituj i janë revokuar si pasojë e skandalit Calciopoli).

Tifozët e Juventusit në Romë (Foto: Getty Images)

Gjysma e parë nuk prodhoi shumë raste shënimi. Një mundësi të mirë e pati Paulo Dybala, ndërsa nga ana tjetër rrezikoi Aleksandar Kolarov me një gjuajtje të lirë.

Në fillim të gjysmës së dytë, Dybala e futi topin në rrjetë, por u anulua për pozitë jashtë loje. Një moment për t’u përmendur në pjesën e dytë ishte përjashtimi i Radja Nainggolan me kartonin e dytë të verdhë (68′).

Radja Nainggolan u përjashtua me karton të kuq (Foto: Getty Images)

Ndërkaq, deri në fund të sfidës, asnjëra nga skuadrat nuk arriti të shënonte gol (0-0) dhe në këtë mënyrë, Bianconerët e morën pikën e nevojshme për t’u shpallur kampion për sezonin e sivjetmë në Serie A.

Ky ishte trofeu i shtatë radhazi i Juventusit në Serie A, meqë nga sezoni 2011/2012, është klubi i vetëm që i është gëzuar titullit të Italisë këto vite.

Në këtë sezon, bardhezinjtë e kanë fituar edhe Kupën e Italisë pas triumfit ndaj Milanit në finale, ndërsa në Ligën e Kampionëve u eliminuan në çerekfinale nga Real Madridi.

Juventusi e fitoi edhe Kupën e Italisë (Foto: Getty Images)

Në ndeshjen tjetër, Napoli e mposhti Sampdorian me rezultat 2-0, por mbeti katër pikë prapa Zonjës së Vjetër kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje për t’u zhvilluar (vetëm tri pikë janë në lojë). /Telegrafi/

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Sport