Gjykata Penale në Shkup ka dënuar me tre vite e dy muaj burg kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi. Po ashtu, me tre vite burg është dënuar edhe ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijallkov.

Ky është aktvendimi për rastin “Titanik 2”, gjegjësisht për parregullsi zgjedhore të zgjedhjeve lokale të vitit 2013, e cila sot është lexuar nga gjykatësi Ognen Stavrev.

Mbrojtja në fjalët përfundimtare ka kërkuar aktvendim lirues për gjithë të akuzuarit, duke theksuar se Prokuroria nuk ka dhënë prova me të cilën vërtetohet vepra për të cilën ngarkohen.

Avokatët mbrojtës kanë pasur vërejtje edhe në besueshmërinë e audio incizimeve që siç thanë, “janë përfituar jo ligjërisht”. Kanë thënë se akuza është ngritur nga paditësi i paautorizuar, pra është pas skadimit të periudhës prej 18 muajsh, e caktuar sipas akuzës së PSP-së.

Sipas PSP-së, Mijallkov si drejtor i DSK-së dhe anëtar i Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së e ka shfrytëzuar ndikimin e tij real dhe përmes Menduh Thaçit ka dakorduar të miratohen ankesat për rivotimin në tre vendvotime në Strumicë në zgjedhjet lokale 2013.

Anulimi i votimit, sipas Fetait është përllogaritje ekzakte e VMRO-DPMNE-së se sa nevojitet që kandidati i tyre të mund të shkojë në rrethin e dytë, derisa Thaçi edhe pse nuk ka pasur të drejtë ligjore e ka bindur Bedredin Ibraimin të pranojë mendimin e tij dhe të votojë për ankesat e VMRO-së, ndërsa për kthim siç ka sqaruar Fetai, anëtarët e KSHZ-së nga VMRO-DPMNE duhej të votonin për ankesat e PDSH-së në Çair.

Të akuzuarit e tjerë, anëtarë të KSHZ-së, sipas PSP-së e kanë keqpërdorë detyrën zyrtare dhe nuk kanë qenë në funksion të Kodit zgjedhor, por të interesave partiake.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme