Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë Matthew Palmer, tha se sfida e tanishme e Kosovës është krijimi i një qeverie, e cila do ta kthente vendin në dialogun me Serbinë dhe do të pezullonte tarifën ndaj mallrave serbe.

Palmer theksoi se përcaktimi i parametrave të negociatave është përgjegjësi e palëve dhe se përqendrimi vetëm te hartat dhe territoret zhvendos vëmendjen nga rëndësia e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

 

“Ne kemi shumë shpresë që Beogradi dhe Prishtina mund të gjejnë një rrugë për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve dhe pastaj të gjejnë rrugën për arritjen e një marrëveshjeje që të ketë mbështetje reciproke, që të rezultonte në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre. Dhe kjo do të hapte rrugën për një të ardhme evropiane për të dyja vendet, për Kosovën dhe për Serbinë”, tha Palmer.

Ai tha se është e rëndësishme për Kosovën krijimi i qeverisë së re sa më parë.

“Mendoj se ajo që është nevojshme tani është krijimi i një qeverie në Kosovë. Kjo është sfida e menjëhershme. Ne duam që Kosova të fillojë përpjekjet për formimin e një qeverie sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne do të dëshironim që ajo qeveri pastaj t’i kthehet sa më shpejt dialogut, përfshirë pezullimin e tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Ne shpresojmë që kjo të fillojë së shpejti”, tha ai.

Palmer tha se nuk e di nëse ka një draft marrëveshje mes Presidentëve Vuçiq dhe Thaçi që përfshin shkëmbimin e territoreve dhe kjo marrëveshje është gati t’i paraqitet publikut.

“Nëse ekziston një draft marrëveshje, nëse ekziston një marrëveshje gjithëpërfshirëse që është gati për nënshkrim, unë nuk e kam parë. Unë mendoj se përqëndrimi vetëm te hartta dhe territoret e zhvendos mjaft vëmendjen nga domethënia e vërtetë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin. Përkufizimi i normalizimit është përgjegjësi e palëve. Dhe ato mund ta bëjnë këtë vetëm në tryezën e dialogut”, tha Palmer.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme