“NE SERBËT NDIHEMI MË TË SIGURT NË PRISHTINË SESA NË VERI TË KOSOVËS“Ne serbët ndihemi më të sigurt në Prishtinë sesa në veri të Kosovës”

Kryetarja e OJQ-së ‘Lëvizja Evropiane’ dhe ish-deputetja në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq, tha se deri tash nuk është zbardhur asnjë vrasje në veri të Mitrovicës dhe se veriu i Kosovës udhëhiqet nga mafia.

Trajkoviq tha se pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, shumë serbë ndihen më të sigurt në Prishtinë, sesa në veriun e Kosovës.

Trajkoviq i dha këto deklarata në tribunën me titull “Besimi në Oliverin – Kush po e vret Kosovën”, që u mbajt mbrëmë në Kralevë të Serbisë, raporton gazeta beogradase “Blic”.

Debati iu përkushtua motivit dhe hetimit në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, lider i Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” në veri të Mitrovicës, kur edhe pas katër muaj hetimesh nuk ka asnjë lëvizje, përcjell Telegrafi.

Trajkoviq ka thënë se mënyra e hetimit nga fillimi tregoi për rrjedhjen e informacioneve në drejtim të Beogradit.

“Shumë serbë nga Kosova, veçanërisht ne nga enklavat, ndihemi më lirshëm në Prishtinë sesa në veri të Kosovës. Dhe kjo është ajo që është më e frikshme”, tha Trajkoviq.

Një pjesëmarrës tjetër i tribunës, Marko Jakshiq, dhe njëri nga tre këshilltarët komunalë të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, në Komunën e Mitrovicës së Veriut, tha se janë bërë përpjekje që hetimeve t’u jepet drejtim tjetër duke bërë që zyrtarët policorë të cilët kanë prekur gëzhojat e fishekëve në vend të krimit t’i ndërlidhin me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Dy palët po hetojnë dhe po e bëjnë punën keq. Dhe sikur e ndihmojnë njëri-tjetrin që vrasësi dhe porositësi të mos zbulohen”, tha Jakshiq.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme