Faqja Kryesore ShowBiz Shqipëria në “Eurovision 2019”

Shqipëria në “Eurovision 2019”

13 Min e Lexuar
0
0
139

“Eurovision” është një prej kompeticionet më të mëdha të muzikës evropiane, pjesë e së cilit është edhe Shqipëria tash e 15 vite.

Me përfaqësime nga më të ndryshmet, por gjithmonë të dinjitetshme, shteti shqiptar ka arritur që herë pas here të lërë gjurmë në këtë festival të madh evropian.

Pritshmëritë janë të tilla edhe këtë vit, në të cilin Shqipëria përfaqësohet nga këngëtarja e njohur Jonida Maliqi, me këngën “Ktheju Tokës”.

Së fundmi, kënga është finalizuar dhe plotësuar me klip, i cili është pritur me komente kryesisht pozitive për stilin, origjinalitetin, por edhe interpretimin e këngëtares.

Lidhur me pjesëmarrjen e sivjetme të Shqipërisë në “Eurovision”, në një intervistë për Telegrafin, ka folur kompozitorja e këngës “Ktheju Tokës”, Erion Rushiti.

Ajo thotë se për një projekt i cili tashmë është i përfunduar vizualisht, është bërë një punë e gjatë dhe e palodhur ekipore, e cila është duke u pritur mirë nga publiku.

“Ju falënderoj për intervistën dhe do doja të thoja që pas atij tre-minutëshi të këngës që prezanton Shqipërinë në “Eurovision”, fshihet një punë e madhe. Fillimisht dua te theksoj që vendimet më të rëndësishme ishin ato, të gjuhës me të cilën do këndohej kënga dhe ndryshimeve që duheshin bërë për të qenë korrekt me minutazhin që kërkojnë rregullat e “Eurovisionit”. Këto vendime i morëm shumë shpejt, sepse një ndihmë të madhe na dhanë fansat e kësaj këngë, kryesisht në Kosovë, por edhe shumë fansa të kombësive të ndryshme. Ndaj vendosëm që gjuha do të ishte shqipja jonë e bukur dhe ndryshimet në këngë do ishin shumë të vogla: vetëm duhej te theksonim më tepër ritmin dhe instrumentat etnike. Kështu u realizua regjistrimi i vokalit të Jonidës dhe miksimi në një studio shumë të mirë muzikore, në Suedi. Pastaj puna vazhdoi me kompaninë “Triangle Studios”, për realizimin e klipit. Edhe në këtë aspekt djemtë që punuan për këtë video dëshironin që të përdornin simbolika shqiptare, duke filluar që nga foleja e shqiponjave, vështirësitë që kemi kaluar, nëpërmjet elementeve flakë, ujë dhe deri në përpjekjen dhe dëshirën që ka çdokush për t’u kthyer në tokën mëmë. Ky klip është lënë i hapur për ta përfunduar idenë dhe mesazhin e këngës, pikërisht në skenën e madhe në Tel Aviv”, ka thënë Eriona Rushiti për Telegrafin.

Eriona Rushiti (Foto: Eriona Rushiti/Facebook)

Si kompozitore e këngës, Rushiti thotë se realizimi i këtij projekti ishte nderi më i madh në karrierën e saj, pasi siç shprehet ajo në vazhdimësinë e bisedës, “Eurovisioni” ka qenë gjithmonë një ëndërr e saj e madhe, e cila po bëhet realitet.

“Shumë e emocionuar. Kam ndjekur me shumë emocion edhe çdo prezantim të Shqipërisë në “Eurovision”. Me volumin në maksimum, me zemrën që më rrihte fort, me ankthin e pikëve kam jetuar çdo dalje të Shqipërisë në “Eurosong”. Pas këtij përshkrimi, mendo sesi do ndihem kur të jem vetë aty, ku nuk e di sesi do e përballoj emocionalisht”, ka thënë më tej kompozitorja e “Ktheju Tokës”.

Por cilat kanë qenë pritshmëritë e para nga fansat lidhur me versionin final të këngës reprezentuese të Shqipërisë këtë vit në “Eurovision”?

“Fillimisht pritshmëritë janë për të kaluar fazën gjysmëfinale, sepse kemi një natë të vështirë, me shtete të fuqishme që votojnë njëri-tjetrin, por unë kam besim se do ia dalim me sukses. Por oreksi vjen duke ngrënë themi ne nga anët tona… duke parë reagimet e shumë fansave të kësaj kënge, duke ditur profesionalizmin me të cilën është punuar në këtë këngë dhe besimin absolut që Jonida do japë maksimumin e emocionit dhe të vokalit mendoj e pretendoj për një renditje të mirë në finale. Por këto janë dëshira që shtohen çdo ditë e më shumë, duke parë edhe përkushtimin e shumë njerëzve që e duan këtë kënge. Janë komente fantastike edhe nga kritikës e muzikës. Kryesisht i referohen origjinalitetit të këngës, flasin sesa unike është, por ajo që edhe evidentohet është vokali i Jonidës: potent dhe i pa-ngatërrueshëm me askënd. Shumica e komentuesve shkruajnë: “Masterpiece!”

Këngëtarja Jonida Maliqi dhe kompozitorja e këngës “Ktheju Tokës”< Eriona Rushiti, pas triumfit në Festivalin e RTSH-së, dhjetor 2018 (Foto: Eriona Rushiti/Facebook)

Lidhur me paraqitjen në gjysmëfinale, ende nuk është menduar çdo detaj, megjithatë kompozitorja Rushiti e cila është pjesë e ekipit përfaqësues të Shqipërisë në “Eurovision” këtë vit, thotë se janë ende në bisedime lidhur me këtë pjesë.

“Është pak herët jo për planet dhe strategjinë që kemi ne, por për ta bërë publike…ndaj në një intervistë tjetër, mund të themi më shumë detaje. Shpesh e diskutojmë me njëra-tjetrën, por Jonida duket më e fortë se unë. Më thotë: “Zysha mos më ngarko me emocione, se do ia dal shkëlqyeshëm”, ka thënë më tej Eriona Rushiti, referuar edhe faktit se si dyshja komentojnë dhe bisedojnë me njëra-tjetrën lidhur me planet për një përfaqësim sa më dinjitoz.

Ekipi përfaqësues i Shqipërisë në “Eurovision 2019” (Foto: Eriona Rushiti/Facebook)

“Ktheju Tokës” do të ketë edhe promovimin e saj në disa shtete, e që i pari me të cilin do të fillojë është Kosova, pasi mbështetjen më të madhe, Jonida e gjen te fansat e saj shqiptarë.

Në përfundimin e bisedës për Telegrafin, Eriona tregon edhe vendet të cilat janë përcaktuar për udhëtime dhe promovim të këngës, ndërsa i gjithë stafi do të nisen për në Izrael, në fillim të majit.

“Do të nisë një turne për promovimin e këngës që fillimisht duam ta nisim me Prishtinën. Pastaj janë planifikuar koncertet në Amsterdam, Madrid, Londër dhe Tel Aviv si koncerte promovuese. Më pas stafi niset në fillim të majit për provat dyjavore në skenën e madhe. Shpresoj që me peshën e madhe që kemi mbi supe të nderojmë çdo shqiptar që ndihet i tillë dhe e do “Ktheju Tokës”, ka përfunduar Eriona Rushiti për Telegrafin.

Jonida Maliqi do të ngjitet në skenën e madhe të “Eurovisionit” më datë 16 maj, në gjysmëfinalen e dytë, dhe në rast kualifikimi, ajo do të këndojë ‘live’ edhe në finalen e madhe të “Eurovision 2019”, që këtë vit mbahet në “Tel Aviv Fairgrounds”, në Tel Aviv të Izraelit.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në ShowBiz