Në takimin e së premtes të Këshillit të Bashkimit Evropian është paraparë që të adresohet çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Klan Kosova merr vesh nga burime të saj në Bruksel se krerët e shteteve anëtare pritet të rekomandojnë krijimin e një komisioni të veçantë që pritet të vijë në Kosovë, për të monitoruar betejën e institucioneve të Kosovës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pavarësisht kësaj është kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili falënderon institucionet e Bashkimit Europian, eurodeputetët, për përkrahjen e madhe që sipas tij i kanë dhënë procesit të liberalizimit të vizave.

“Institucionet e Kosovës nuk duhet ndalur punën deri në përmbushjen e së drejtës themelore dhe meritore për të lëvizur lirshëm në Europë”.

“Si Kuvend, kemi filluar një iniciativë që ka gjetur mbështetje nga institucionet e vendit dhe nga shtetet anëtare të BE-së. Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, por këtu nuk përfundon i gjithë obligimi ynë”.

“Në këta muaj vendimtarë, ne duhet të vazhdojmë përmbushjen e agjendës sonë europiane, ndërsa komunikimi me të gjitha institucionet e BE-së dhe çdo mekanizëm tjetër ndikues në këtë proces duhet të intensifikohet”.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme