Faqja Kryesore ShowBiz Reperi Fero pranon fajësinë për posedim të paautorizuar të marihuanës

Reperi Fero pranon fajësinë për posedim të paautorizuar të marihuanës

3 Min e Lexuar
0
0
90

Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero, e ka pranuar fajësinë për posedim të paautorizuar të narkotikëve, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Blerim Igrishta, i akuzuari Shabani është deklaruar fajtor për veprën që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shabani tha se ka qenë përdorues i mëhershëm i marihuanës, pasi që merret me muzikë dhe shkruan tekste, mirëpo i njëjti shtoi se nuk ka përdorur më substanca të tilla, që nga dita që është zënë nga policia.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Igrishta, duke shtuar se ky pranim është bërë në pajtim me dispozitat perkatëse ligjore.

Gjykatësi Avdirrahman Gashi e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 21 shkurt 2019.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 15 nëntor 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Feronit Shabani, me arsyetimin se ai ka kryer veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Shabani, në mënyrë të paautorizuar ka poseduar substanca narkotike, me peshë të përgjithshme prej 13.5 gram.Në aktakuzë thuhet se me 25 qershor 2018, rreth orës 21:20, në rrugën “Avdi Kelmendi” në Lipjan, pas një kontrolle të realizuar nga ana e policisë, pasi e kanë ndaluar automjetin, tek i akuzuari Shabani është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit “marihuanë”. /Betimipërdrejtësi

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në ShowBiz