Partia për Veprim Demokratik në vazhdën e aktiviteteve për siç e quan ajo “demaskimin e mashtrimeve me premtimet parazgjedhore të Shqiprim Arifit”, nëpërmjet nënkryetares së PVD-së Ardita Sinani sot doli në konferencë për media.

PVD sipas zonjës Sinani zgjodhi ditën e sotme, pra 1 korrikun, për konferencë të jashtëzakonshme pikërisht sepse kjo ishte data që i pari i komunës e dha si datë definitive për hapjen e kufirit Miratoc – Llojan.

Sipas Ardita Sinanit dhe PVD – së edhe më e turpshme ishte përfshirja e ambasadorëve të huaj në Beograd, të cilët Shqiprim Arifi i paraqiti si garantues të zotimit falso të tij se dita e sotme është data definitive kur ky kalim kufitar do të jetë i hapur.

Nënkryetarja e PVD-së në këtë konferencë theksoi se kjo konferencë nuk shfaq gëzimin e PVD-së që ky vendkalim i domosdoshëm për qytetarët e komunës së Preshevës nuk po hapet, por qëllimi i saj është që të shpërfaq lojën me ndjenjat e qytetarëve të Preshevës nga ana e Shqiprim Arifit.

Vlen të theksohet se kryetari aktual i komunës në shumë raste kishte dhënë premtime dhe data të ndryshme për hapjen e kufirit, por sipas tij dita e sotme ishte afati i fundit.

Sipas znj. Sinani Forumi Rinor i PVD-së gjatë ditës do të zhvillojë aktivitete rrugore që temë kryesore ka pikërisht temën e premtimit për hapjen e kufirit.

Sipas burimeve brenda PVD-së, pas temës për çështjen e Gjykatës dhe çështjen e kufirit do të jenë edhe shumë tema tjera për të cilat Shqiprim Arifi kishte dhënë premtime.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme