Richard Grenell sot është emëruar në krye të intelegjencës kombëtare të SHBA-ve.

Grenell, që është i dërguar Special i presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, aktualisht ushtron edhe funksionin e ambasadorit  SHBA-ve në Berlin, shkruan lajmi.net.

Trump e emëron Grenellin për Drejtor të Inteligjencës Kombëtare

Kësisoj, angazhimet e Grenellit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë pritet të zvogëlohen për shkak të rritjes së obligimeve ndaj shtetit amerikan në pozitën e re.

E sipas burimeve të cilat sot janë cituar nga “CNN”, Grenell pritet të largohet edhe nga posti i ambasadorit të SHBA-ve në Berlin.

Por a do të largohet Grenell nga angazhimet e tij për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?

Lajmi.net ka kontaktuar sot në mëngjes me Dick Custin, zëdhënës i Zyrës së Grenellit në Berlin, mirëpo i njëjti nuk ka mohuar e as pohuar se i dërguari i Trumpit do të largohet nga dialogu.

Custin ka kërkuar që mediat të referohen tek postimi i presidentit amerikan, Donald Trump, që njofton për emërimin e Grenell në krye të intelegjencës amerikane.

“Fatkeqësisht, për momentin nuk kemi asgjë për ju në lidhje me këtë çështje. Ju lus t’i referoheni postimit në Twitter të presidentit Trump”, ka thënë Custin për lajmi.net.

Grenell njihet si njëri ndër akterët më të suksesshëm që ka ndërmjetësuar mes Kosovës dhe Serbisë.

Nën udhëheqjen dhe ndërmjetësimin e tij, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar tri marrëveshje, atë për linjën ajrore, hekurudhat dhe autostradat.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme