Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, javë më parë paralajmëroi organizimin e një tryeze me partitë politike për të diskutuar lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Por deri tash nuk ka diçka konkrete në realizimin e këtij takimi, në të cilin do të merrnin pjesë të gjitha partitë politike në pushtet dhe në opozitë.
I pari i LDK-së ka thënë se nuk ka gatishmëri të partive politike për një tryezë të tillë.
“Jam në kontakte me subjektet politike parlamentare, përveç LVV-së. Nuk ka akoma një gatishmëri për tryezë në të cilën merr pjesë edhe opozita ose një pjesë e saj”, ka thënë Mustafa.
Ai theksoi se ka këmbëngulje nga disa parti që e votojnë vetëm kandidatin e tyre për president dhe jo ndonjë kandidat tjetër, ndërsa shtoi se në këtë situatë jemi duke rrëshqitur drejt zgjedhjeve.
Kujtojmë se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do të jetë kandidat për president dhe për marrjen e këtij posti AAK-ja është duke këmbëngulur se ky post u takon atyre.
Haradinaj ka deklaruar se nëse bëhet president, nuk do të kthehet në AAK pasi t’i përfundojë mandati.
E nga ana e PDK-së, kryetari në detyrë i kësaj partie, Enver Hoxhaj ka deklaruar sot se kjo parti nuk shtantazhohet dhe se nuk do të lejoj që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës.
Hoxhaj shtoi se PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë.