Policia serbe nuk i ka lejuar karateistët kosovarë të hyjnë në Serbi mëngjesin e sotëm.

Ata po udhëtonin për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të Karatesë në Novi Sad.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka thënë në një njoftim se “Ekspedita e Kombëtares së Kosovës në karate nuk u lejua të hyjë në shtetin e Serbisë”.

Sipas KOK-ut, policia serbe në kufirin e Merdares u përcolli drejtuesve të Federatës së Karatesë së Kosovës vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët kishin dhënë urdhër që ekspedita të mos lejohet të hyjë në Serbi.

Kombëtarja e karatesë do të duhej të merrte pjesë në Kampionatin Europian të karatesë, që mbahet në Novi Sad të Serbisë.

Karateistët kosovarë janë kthyer në Prishtinë.

Ndërsa Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar lidhur me ndalimin e pjesëmarrjes së një grupi sportistësh kosovarë në Serbi.

“Ndalimi i pjesëmarrjes së karateisteve kosovarë në kampionatin Evropian të karatesë për seniorë në Novi-Sad nga autoritetet e Beogradit është e papranueshme, është kundër frymës sportive dhe rregullave elementare të Federatës Ndërkombëtare të Karatesë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Thaçit, me sjellje të tilla, Serbia po tenton t’i politizojë edhe sportin, i cili duhet t’i bashkojë popujt dhe jo të krijojë ndarje mes tyre.

Ky është kushti i Serbisë që t’iu lejohet hyrja e karateistëve kosovar në Kampionatin Evropian

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka lëshuar një njoftim rreth çështjes së pjesëmarrjes sa karateistëve nga Kosova në Kampionatin Evropian për sendor në Novi Sad.

Aty thuhet se Serbia lejon pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë, por pa emër dhe simbole shtetërore dhe vetëm në emër të federatave ndërkombëtare, shkruajnë mediat serbe, përcjell Klan Kosova.

“Si nikoqir, nikoqir i mirë, lejojmë që karateistët nga krahina jugore të marrin pjesë në këtë kampionat, por ekskluzivisht me status neutral dhe të përfaqësohen në emër dhe mbiemër të federatave ndërkombëtare të Evropës”, thuhet në njoftim.

Kjo thuhet se po bëhet në mënyrë që në sport të mos bëhen abuzime dhe të promovohet separatizmi si dhe të shkelet e drejta ndërkombëtare.

“Serbia do të jetë një nikoqir i mirë ndaj të gjithë sportistëve, por jo për politikë”, thuhet në njoftim.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme