Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, nuk ka dashur të përgjigjet nëse do ta pasojë Isa Mustafën në krye të partisë.

Haziri ka thënë se e tërë Kryesia e LDK-së është në dorëheqje.

“Nuk ka të bëjë me emra. Kryetari e tha, ne jemi kryesi në dorëheqje”, ka thënë Haziri para mediave, kur është pyetur nëse do të jetë ai kryetari i ri i LDK-së.

Isa Mustafa në mbledhjen e sotme të kryesisë së LDK-së ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit, pas humbles së thellë të regjistruar nga zgjedhjet e djeshme parlamentare.

LDK nuk ka fituar në asnjë komunë, ndërsa ka humbur thellë edhe në komunat ku udhëheqin zyrtarë të këtij subjekti politik.

Kur janë numëruar 99.23% të votave, LDK-ja renditet në vendin e tretë me 102 mijë e 959 vota apo 13,08%.

Ndërkaq LVV vazhdon të prijë. Aktualisht, LVV numëron 376 mijë e 933 vota, apo 47,88%. Partia e Albin Kurtit ndiqet nga PDK-ja në vend të dytë, e cila aktualisht ka marrë 136 mijë e 681 vota apo 17,36%.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme