Ndonëse akoma nuk është caktuar data e mbajtjes së seancës parlamentare kur do të zgjidhet presidenti, si duket pretendentja për këtë post Vjosa Osmani, ka siguruar numrin e mjaftueshëm të pjesëmarjes së deputetëve në këtë seancë.
Kjo për faktin që Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, me kryetarin e ri të saj Lumir Abdixhiku, vendosën që të marrin pjesë në seancën parlamentare për zgjedhjen e presidentit.
Kryetari i LDK-së pas një takimi të kryesisë së partisë tha se partia që ai drejton “nuk do të paraqesë pengesa dhe do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues për të marrë pjesë në votimin e presidentit të vendit”, kurdo që mbahet seanca.
“Pas një diskutimi të hapur, shterues në argumente e gjithëpërfshirës, të gjithë, bashkarisht, kemi marrë vendim që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit. Që LDK, si gjithëherë, do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues, e të marrë pjesë në votim për presidentin e vendit. Ky pra është vendimi i kryesisë i votuar me shumicë absolute të anëtarëve të saj”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës duhet të ndodhë më së largu deri më 5 maj kur dhe skadon afati gjashtëmujor i ushtruesit të detyrës së presidentit.
Lëvizja Vetëvendosje që në zgjedhjet e 14 shkurtit doli partia e parë ka siguruar 58 deputetë, ndërsa ka kandiduar Vjosa Osmanin për presidente.
Votat e Vetëvendosjes së bashku me votat e pakicave jo serbe dhe 15 votat e LDK-së, mund t’ia sigurojnë Osmanit kuorumin e mjaftueshëm përtej 80 deputetësh në mënyrë që ajo të zgjidhet presidente.
Sipas Kushtetutës zgjedhja e presidentit kërkon në dy raundet e para të votimit dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e tretë mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë.
Dy partitë tjera që tashmë janë në opozitë Partia Demokratike e Kosovës PDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, janë deklaruar se nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente.
Udhëheqësi i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, (PDK) thotë se partia e tij është konsultuar për çështjen e presidentit dhe nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin.
Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj thotë se partia e tij nuk dëshiron që “pushteti të koncentrohej në një parti të vetme”, prandaj në këtë mënyrë ai lë të kuptohet se nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente.