Shpërndaj në Facebook Shpërndaj në Twitter Shpërndaj në Google+ Shpërndaj në Reddit Shpërndaj në Pinterest Shpërndaj në Linkedin Shpërndaj në Tumblr Tashmë kanë hyrë në fuqi masat e reja të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të kontrollit, parandalimit dhe luftimit të pandemisë COVID–19. Masat e reja janë bërë të ditura një ditë më parë, ndërsa Qeveria e Kosovës ka publikuar të plotë vendimin. Më poshtë mund ta lexoni të plotë njoftimin e Qeverisë: Vendimi i miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës përfshinë masat si në vijim: 1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. 2. Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit. 3. Përjashtim nga pika 2 bëjnë: 3.1. Nëse qytetari i huaj hynë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajnë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore; 3.2. Qytetarët e huaj që punojnë si transportues profesionistë (vozitësit), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga COVID-19; 3.3. Qytetarët e huaj që kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda 5 orësh; 3.4. Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre. 4. Të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetë-izolohen për 7 ditë. 5. Përjashtim nga pika 4 e këtij vendimi, bëjnë qytetarët e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit. 6. Në institucionet publike dhe private obligohen që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale. Përgjegjësit e institucioneve publike dhe private obligohen të definojnë stafin esencial për nevojat e institucionit me hyrjen në fuqi të këtij vendimi. 7. Punëdhënësit publik apo privat udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët e tjerë që nuk janë staf esencial për nevojat e punëdhënësit. Obligohet punëdhënësi që në bashkëpunim me punëtorët të definojnë pozitat e punës që mund të kryhen nga shtëpia. 8. Në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në ministri, agjenci ekzekutive, një agjenci rregullatore duke përfshirë degët lokale të tyre, nëpunësi i kategorisë së lartë drejtuese duhet të siguroj që për aq sa është e mundshme zyrtarët publik të kryejnë punën në distancë. 9. Në lidhje me pikën 8, varësisht sipas natyrës së punës, prania fizike e zyrtarit në vendin e punës mund të kërkohet vetëm për aq kohë sa është e nevojshme për kryerjen e detyrës që kërkon prezencën fizike. Ky rregull nuk vlen nëse natyra e punës së zyrtarit kërkon që të jenë prezent fizikisht gjatë tërë orarit të punës (sidomos kur natyra e punës ka të bëjë me sektorin e shëndetësisë, sektorin e sigurisë, shërbimet direkte ndaj qytetarit, organizimit të mbledhjes së qeverisë, arkivën apo rasteve të tjera varësisht sipas specifikave të institucionit). 10. Në lidhje me pikat 8 dhe 9, nëpunësi i kategorisë së lartë drejtuese dhe drejtorët e departamenteve duhet të jenë në vendin e punës gjatë tërë orarit të punës. Në pamundësi drejtori i departamentit zëvendësohet nga një udhëheqës i divizionit. 11. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç: 11.1.Gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes; 11.2 Gjatë vrapit dhe çiklimit; 11.3 Gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje. 12. Obligohen institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit dhe në ambiente të brendshme. 13. Obligohen institucionet publike dhe private që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19 (përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës, etj.) 14. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfarëdo subjekti tjetër që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjet e hapësirave të mbyllura. 15. Nga data 7 prill deri më 18 prill ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç: 15.1. Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi). 15.2. Qarkullimi për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë dhe shërbime publike; 15.3 Operatorëve ekonomik që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/ shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës. 16. Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (7 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë formën e mbajtjes së aktivitetit mësimor sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Institucionet parashkollore dhe fillore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19. 17. Përjashtim nga pika 16, bën mbarëvajtja e provimeve të cilat mund të mbahen fizikisht në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, por duke respektuar masat dhe distancën fizike dhe duke u bërë ndarja në grupe nga 10 persona. 18. Konviktet dhe menzat pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill 2021. 19. Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve. 20. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit siç kërkohet me ligjet përkatëse. 21. Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, homazhet). Përjashtimisht, pavarësisht numrit të personave mbajtja e të pames dhe dasmave ndalohet. 22. Përjashtim nga pika 21, bëjnë mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, mbledhjet e Qeverisë, apo mbledhjet me interes të veçantë publik. 23. Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë. 24. Ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë nga data 7 prill deri më datë 18 prill, ndërsa në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19. 25. Obligohen marketet e mbyllura ushqimore që të kufizojnë numrin maksimal të konsumatorëve në të njëjtën kohë sipas rregullit, 1 person për 8m2. Marketet obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të konsumatorëve të lejuar në të njëjtën kohë. 26. Konsumatorët janë të obliguar të respektojnë distancën fizike prej 2 metrave. 27. Shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill. Të njëjtat ndalohen edhe në hapësirat e brendshme të shërbimeve gastronomike të marketeve, furrave të bukës, burektoreve, qebaptoreve, pikat e shitjes së karburanteve. 28. Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK). 29. Në hotele dhe akomodime të ngjashme, shërbimi i pijeve dhe ushqimeve lejohet vetëm në dhoma. 30. Ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve. 31. Therja e kafshëve lejohet vetëm në ambientet e autorizuara për këtë qëllim. 32. Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri 50% kapaciteteve. 33. Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose (3) nëse janë anëtarë të së njëjtës familje. 34. Institucionet vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonitë, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë nga ora 5:00 deri në orën 21:00, duke shfrytëzuar deri në maksimum 20% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime). 35. Lejohen aktivitetet sportive vetëm për qëllime profesionale në hapësira të mbyllura dhe të hapura pa prezencë të publikut, dhe të cilat duhet të realizohen në përputhje me protokollet vendore dhe ndërkombëtare sportive. 36. Përjashtimisht pikës 35, ndalohet aktiviteti në hapësira të mbyllura të fitneseve dhe palestrave. 37. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave për aktivitete individuale rekreative vetëm në hapësira të hapura. 38. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerrë udhëzime për sqarimin e pikave të këtij vendimi. 39. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUVK dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00). 40. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, SHSKUK dhe IKSHP të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim. 41. Obligohet Ministri i Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHP-së. 42. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës. 43. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi. 44. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. 45. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/63 i datës 11.02.2021. 46. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe vlen deri në një vendim tjetër. Masat e ndërmarra sipas këtij vendimi janë mbështetur në arsyetimin se: – Situata faktike në bazë të analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të datës 03 prill 2021, tregon se në dy javët e fundit (19.03.2021 deri 01.04.2021) janë raportuar 11.577 raste pozitive, 150 raste fatale, ndërsa shkalla e fatalitetit të rastit (CFR) është 1.29%. – Nga data 08.02.2020 deri më 01.04.2021, janë testuar gjithsej 434.893 persona të dyshimtë me virusin SARS-CoV-2. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej 92.198 raste ose 21.2% e mostrave të testuara janë pozitive. Deri më 01.04.2021, 76.402 raste ose 82.86% e të infektuarve janë shëruar, ndërsa aktualisht janë 13.902 raste aktive (15.1%). Duke e përcjellë numrin e rasteve të detektuara dhe konfirmuara, sipas ditëve shihet ecuri e trendit në rritje (16.7%) të rasteve aktive, kurse 13.902 rastet aktuale aktive krahasuar me numrin e rasteve aktive para masave të nëntorit– gjithsej 13.784 me kulmin më 2 dhjetor 2020, që paraqet rritje për 0.8%. – IKSHPK ka testuar me Real Time PCR 147 mostra pozitive me SARS CoV-2 për detektimin e varianteve britanik B.1.1.7 dhe atij të Afrikës së Jugut B.1.351. Këto mostra ishin pranuar nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe të cilat kishin rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 gjatë ditëve të fundit. Nga numri total i mostrave të testuara, 97.27% e tyre ishin me variantin britanik dhe asnjë me variantin e Afrikës së Jugut. Prandaj kjo situatë ku varianti britanik është më së shumti i përhapur, kërkon që të minimizohet sa më shumë ekspozimi ndaj COVID-19 dhe të ngadalësohet përhapja e tij, në mënyrë që kapacitetet e shërbimit spitalor të jenë të përballueshme dhe të menaxhueshme. – Në një situatë të tillë të gjendjes emergjente të shëndetit publik, është e nevojshme që të kufizohet liria e lëvizjes, liria e tubimit, e të drejtës së privatësisë, dhe lirisë së dhënies së shërbimeve dhe të administrimit të biznesit. Këto kufizime janë të bazuara në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, dhe ashtu siç kanë konstatuar ekspertët shëndetësorë nga IKSHPK dhe OBSH, janë rreptësishtë të nevojshme atëherë kur situata epidemiologjike është e rënduar. – Afatet kohore të përcaktuara në këtë vendim shërbejnë si domosdoshmëri që lakorja e infektimit të ulet, mirëpo varësisht sipas vlerësimeve të situatës epidemiologjike asgjë nuk e përjashton që këto afate mund të zgjaten përmes një vendimi të ri. Varësisht sipas situatës epidemiologjike dhe efektit të këtyre masave mund të merren masa të reja të cilat mund të jenë më të ashpra apo më të lehta se masat e përcaktuara në këtë vendim. – Ndërsa në bazë të hulumtimit epidemiologjik të rasteve me COVID-19 dhe gjurmimit të kontakteve, nga IKSHPK, si ngjarje potencialisht super-shpërndarëse të infeksionit janë identifikuar: gastronomia; institucionet publike; puna në zyre/vende të përbashkëta; qendrat tregtare; shkollat; grumbullimet e personave, me theks të veçantë rastet e vdekjes dhe ahengjet e ndryshme. Marrja e masave është bërë duke i kushtuar rëndësi tri objektivave: – Minimizimit të ekspozimit ndaj COVID-19 dhe ngadalësimi i përhapjes së tij, ashtu që kapacitetet shëndetësore të shëndetit publik të mos përmbyten përtej limit të tyre; – Ruajtjes së shëndetit mendor dhe fizik të qytetarëve. – Për aq sa është e mundur, mbajtja e aktivitetit ekonomik të hapur. – Rrjedhimisht, në bazë të rekomandimeve të dhëna nga IKSHPK të vlerësuara nga Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me COVID -19 për ndërmarrjen e masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh dispozitat në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi. Like 0
Gjykata e BE-së gjen që Komisioni Evropian s’ka qenë mjaftueshëm transparent për kontratat e vaksinave anti-Covid
Lutfiu:Universiteti i Tiranës ka përjashtuar nga tarifa e shkollimit studentët e Luginës së Preshevës
KKSH-ë ndanë mirënjohje kryetarit të Akademisë së Kosovës Nexhat Daci Kryetari i KKSH-së Ragmi Mustafa ka shkruar sot në profilin e tijë zyrtarë në facebook …