Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, ka reaguar për qasjen së Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginë.
Përmes një postimi në “X”, Roth tha se Serbia po bën hapa mbrapa në rrugën e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës paqësore në Ballkanin Perëndimor.
Ai theksoi se Serbia është duke diskriminuar sistematikisht pakicën shqiptare atje.
Medvegja së bashku me Preshevën dhe Bujanocin përbëjnë atë që njihet si Luginë e Preshevës – e banuar me shqiptarë – në jug të Serbisë.
Ndërkaq, problemi i spastrimit etnik shqiptar është shfaqur tash e një kohë në Serbi.
Nuk dihet saktë se sa shqiptarë jetojnë, pasi ata patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë më 2011.
Në bazë të një vlerësimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të bërë në vitin 2015, u tha se janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Rreth 20,000 shqiptarë raportohet se kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme./Telegrafi/