Këto ditët është diskutuar shumë në opinion çështja e shkëmbimeve të territoreve me Serbinë. Kjo pas kërkesës së përfaqësuesve të shqiptarëve të Preshevës që në dialogun me Serbinë të futet edhe të drejtat e shqiptarëve të Luginës.

Për këtë, pati edhe takim të enjten mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, me liderët politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i cili tha se nuk do të këtë ndarje të Kosovës.

 

Ish kryetarja e Preshevës, tani anëtare e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Ardita Sinani për Indeksonline ka thënë se nuk është e tyre të propozojnë shkëmbime territoresh, por që kërkojnë që shqiptarëve të Luginës të mos i mohohen të drejtat elementare.

“Ne i kemi kërkesat e tona të shtruara drejtë autoriteteve në Beograd edhe para kërkesave të serbëve. Nuk është e jona që të propozojmë shkëmbime apo skenare tjera, ne se kemi fuqinë me vendos edhe nëse kemi dëshirë sepse këto i rregullojnë fuqitë e mëdha. Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë shpreh me kohë vullnetin e tyre me Referendumin e 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992. Ajo që ne mendojmë se është e domosdoshme për paqen afatgjate në Ballkan është krijimi i standardeve unike për pakicat në këtë pjesë të Evropës. Neve na mohohen të drejtat elementare, ndërkohë që e njëjta Serbi kërkon për serbët e Kosovës të drejta që tejkalojnë standardet ekzistuese të BE-së. Jetike është që kërkesat tona të paraqiten në vazhdimësi”, është shprehur Sinani.

 

Sinani tutje ka treguar për takimin me Presidentin Thaçi. Ajo ka deklaruar se në atë takim është kërkuar që në bisedimet e Brukselit të shtrohen tema që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve.

“Si pjesë e aprovimit të Deklaratës Politike nga ana e këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës është edhe kërkesa jonë adresuar autoriteteve në Prishtinë për angazhim më të madh për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Takimi jonë me Presidentin ishte në këtë funksion. Ne kemi kërkuar që në bisedimet e Brukselit të shtrohen tema që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve. Kapitujt 23 dhe 24 të cilët Serbisë i sjellin obligime për përmirësimin e të drejtave të pakicave nuk po sjellin rezultatet e pritura, prandaj ne mendojmë se duhet shfrytëzuar Kapitullin 35 dhe me këtë drejtpërdrejtë bisedat e Brukselit që të drejtat tona atje të shtrohen në reciprocitet me të drejtat e serbëve”, ka theksuar ish-kryetarja e Preshevës.

Përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Luginës presin që Presidenti dhe institucionet e Kosovës të marrin përsipër obligimet ndaj shqiptarëve.

“Ashtu siç u deklarua edhe personalisht, Presidenti Thaçi mori për obligim angazhim më të madh të tijin dhe institucioneve të Kosovës për çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ne presim që sikurse presidenti edhe Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të marrin këto obligime”, ka thënë në fund të intervistës Sinani.

 

Ndryshe, Thaçi pas takimit me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës është deklaruar se nuk do të këtë ndarje të Kosovës dhe se marrëveshja ligjërisht e detyrueshme në përmbyllje të dialogut do të nënshkruhet nga dy shtetet e pavarura.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme