Ambasadori amerikan, Greg Delawie, i ka uruar basketbollistët e përfaqësueses së Kosovës U-18 në basketboll, të cilët u shpallën kampionë të Evropës në Divisionin C.
Në finalen e të dielës mbrëma, talentët tanë nënshtruan Qipron dhe nga viti i ardhshëm do të garojnë në Divisionin B.

“Urime ekipit të Kosovës për triumfin në Kampionatin Evropian U-18. Faleminderit që na treguat të gjithëve se çfarë mund të arrihet me punë të jashtëzakonshme ekipore”, ka shkruar Delawie në Twitter.
“Triumfi i Përfaqësueses sonë U-18, në Divizionin C të Kampionatit Evropian në basketboll, dëshmon se Kosova ka talentë të mrekullueshëm që paralajmërojnë konkurrencë në basketbollin evropian. Krenar!”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i ka përgëzuar djelmoshat e përfaqësues së Kosovës U-18 për shpalljen kampion evropian në Divisionin C.
“Edhe një sukses shembullor i sportistëve tanë. Përgëzoj djelmoshat e përfaqësueses sonë të basketbollit të grupmoshës nën 18 vjeç, të cilët sonte u shpallën kampion në Kampionatin Evropian të Divizionit C, të mbajtur në Prishtinë”.
“Kështu në mënyrën më të mirë të mundshme po i rendisim sukseset njërin pas tjetrit. Kjo më së miri po e dëshmon faktin se sportistët tanë janë e ardhmja e ndritshme e shtetit tonë”, ka shkruar Veseli në Facebook.