Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se “kanë mbetur pak serb në Kosovë për shkak të ekspertëve të cilët ia mbanin ombrellën Madeleine Albright-it dhe kështu kujdeseshin për Serbinë. Ata sot po na mbajnë ligjërata patriotike”.
Ai ka thënë se Beogradi dhe Prishtina nuk janë as afër marrëveshjes, por se do t’i informojë qytetarët nëse ajo arrihet si dhe që do ta prezantojë atë marrëveshje.
“Është shumë vështirë të arrihet çfarëdo marrëveshje. Nuk jemi as afër marrëveshjes, nuk ka marrëveshje… Që jemi afër zgjidhjes, nuk jemi, jemi shumë larg… Nëse arrihet ndonjë marrëveshje do ta informojë popullin”, ka deklaruar sot Vuçiq para gazetarëve, transmeton Insajderi.com.
I pyetur për atë se përfaqësuesit e Luginës së Preshevë po shkojnë në bisedime në Tiranë, Vuçiq ka thënë se nuk i frikësohet “dëshirave të shumë njerëzve të cilat nuk janë ndryshuar”.
Ai ka shtuar se ditët e ardhshme do të shihet me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Vuçiq nuk ka dashur të komentojë përkujtimin e medieve në deklaratën e abatit Sava Janjiq nga viti 1998, se në Kosovë po vriten shqiptarët e pafajshëm, duke thënë se e respekton kishën serbe dhe se ka besim të plotë në patriarkun Irinej.
Vuçiq thotë se serbët nga Kosova edhe më tutje “po shpërngulen në heshtje” dhe se shteti po përpiqet në çdo mënyrë ta parandalojë këtë dukuri, si dhe shitjen e pronave të serbëve në Kosovë.
“Kanë mbetur pak serb atje e diku diku aspak për shkak të ekspertëve të cilët ia mbanin ombrellën Madeleine Albright-it dhe kështu kujdeseshin për Serbinë. Ata sot po na mbajnë ligjërata patriotike”, ka thënë ai.